Nga Grigels Muçollari
Dje shkova në Teatrin Kombëtar për të ndjekur shfaqjen “Drejtësi në Nuremberg”, nën interpretimin e disa prej emrave më të mëdhenj të skenës shqiptare.
Biletat i kisha rezervuar rreth një javë më parë, pasi interesi ishte i lartë, jo pa arsye, duke pasur parasysh aktorët që ngjiteshin në skenë.
Çmimi i biletës ishte vetëm 300 lekë.
Me padurimin për të përjetuar emocionet e një shfaqjeje të tillë, u drejtova drejt teatrit dhe hyra në një parkim privat, të vendosur pikërisht pranë mureve mbajtëse të digës së Liqenit të Tiranës.
Sapo hyra, punonjësi më njoftoi:
— Sot parkimi kushton 1 500 lekë!
— Si ka mundësi? — e pyeta. — Unë parkoj shpesh këtu. Çfarë ka ndodhur që sot çmimi është rritur kaq shumë?
— Epo, sonte ka edhe ndeshje, edhe teatër! — m’u përgjigj.
Kaq mjaftonte si shpjegim.
Pra, fakti që qyteti kishte më shumë jetë, më shumë njerëz që dilnin për të ndjekur sportin apo artin, ishte kthyer në një mundësi për t’u marrë atyre sa më shumë para.
Për 30 minutat e para të shfaqjes, mendja ime ishte diku tjetër. Brenda vetes ndieja një revoltë të fortë. Jo thjesht për shumën e paguar, e cila nuk është aspak e vogël, por për atë që fshihej pas një episodi në dukje kaq të zakonshëm.
Çfarë modeli shoqëror kemi ndërtuar?
Si kemi mbërritur deri këtu, ku gjithçka matet me mundësinë për të përfituar nga tjetri? Ku një ndeshje futbolli apo një shfaqje teatri nuk shihet si një ngjarje që i jep jetë qytetit, por si një rast për t’ia shumëfishuar faturën qytetarit?
Mentaliteti “kap çfarë të kapësh” nuk është më thjesht një sjellje e izoluar. Është një mendësi që duket se ka depërtuar në shumë shtresa të shoqërisë sonë. Nga mënyra si ushtrohet pushteti, te mënyra si bëhet biznes, e deri te marrëdhëniet më të zakonshme mes njerëzve.
Dhe këtu qëndron problemi më i madh.
Sepse modelet e qeverisjes nuk prodhojnë vetëm politika dhe vendime. Ato ndikojnë edhe në standardet që shoqëria fillon t’i konsiderojë normale. Kur përfitimi me çdo kusht kthehet në logjikë mbizotëruese, rreziku është që gradualisht të kthehet edhe në kulturë.
Nuk është thjesht çështja nëse 1 500 lekë janë shumë apo pak. Është çështja e një shoqërie ku gjithnjë e më shpesh duket sikur secili përpiqet të marrë maksimumin nga tjetri, pa pyetur nëse është e drejtë, e arsyeshme apo e ndershme.
Një shoqëri që nuk po varfërohet vetëm ekonomikisht, por që rrezikon të humbasë gjithnjë e më shumë ndjenjën e masës, të solidaritetit dhe të respektit për tjetrin.
Dje pagova 300 lekë për të shijuar artin dhe 1 500 lekë për të parkuar makinën.
Por ajo që më kushtoi më shumë ishte përballja me pyetjen se çfarë shoqërie po ndërtojmë dhe çfarë vlerash po u lëmë fëmijëve tanë.
Sepse sot shqetësohemi se sa po na kushton të jetojmë në këtë qytet. Por kjo kosto mund të rezultojë fare e vogël përballë çmimit që do të paguajmë nesër, si shoqëri, nëse mësohemi ta pranojmë këtë mënyrë jetese si diçka normale.





