Vendosni fjalën kyçe....

Video tronditëse tregon çastin e shembjes së godinës me 8 viktima në Nju Jork


Pamje të reja tronditëse, të regjistruara nga një kamerë mbikëqyrjeje brenda një banese, kanë kapur momentin dramatik kur një pallat në Brooklyn u shemb përtokë, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e 18 të tjerëve.

Videoja, e siguruar ekskluzivisht nga Gothamist dhe CBS News, është regjistruar brenda apartamentit të banorit Anderson Velez, në katin e tretë të ndërtesës në adresën 1321 Flatbush Avenue, ku ai jeton me bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël. Pamjet janë filmuar vetëm pak sekonda përpara se ndërtesa të shembej mbi një kantier ndërtimi aktiv ngjitur me të.

Në fillim të videos gjashtësekondëshe, djali 9-vjeçar i Velez-it shihet duke nxjerrë një shishe qumështi prej rreth 3,8 litrash nga frigoriferi, ndërsa fëmija 2-vjeçar luan në dysheme.

Më pas, bashkëshortja e Velez-it hap derën që të çon në dhomën e ndenjjes dhe nis të bërtasë e tmerruar. Djali i madh vrapon drejt së ëmës, duke u larguar nga muri, pak çaste përpara se ai të shembet në mënyrë dramatike.

“Kjo lëvizje, sipas mendimit tim, ia shpëtoi jetën”, i tha Velez medias lokale në gjuhën spanjolle.

Fëmija 2-vjeçar, megjithatë, u përfshi nga rrënojat pasi muri u shemb.

Velez-i, i cili në momentin e tragjedisë ndodhej në Bronx për arsye pune, tha se mori një telefonatë të dëshpëruar nga bashkëshortja, e cila u lutej punonjësve të shpëtimit që t’i nxirrnin dy djemtë e saj nga grumbulli i rrënojave.

Në mënyrë të pabesueshme, 2-vjeçari pësoi vetëm disa gërvishtje në ballë dhe në këmbë pasi u nxor nga rrënojat.

“Veshët i kishte plot me dhe, po ashtu hundën, gojën e vogël, shpinën — i gjithë trupi ishte i mbuluar me dhe”, tha Velez-i për djalin e tij të vogël.

Velez-i tha se bashkëshortja pësoi dëmtime të rënda në brinjë, shtyllën kurrizore dhe klavikulë, ndërsa djali i tyre 9-vjeçar ndodhet ende në repartin e kujdesit intensiv, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

“Jam ende i tronditur”, i tha Gothamist-it banori, i cili tashmë ka mbetur pa strehë. “E vërteta është se po përpiqem të jem i fortë për djalin tim, por ndihem tmerrësisht keq”.

“Gjithçka më kalonte nëpër mendje. Mendoja për fëmijët e mi, duke shpresuar që të ishin mirë dhe të mos u kishte ndodhur asgjë e rëndë”, tha ai. “Zoti më dëgjoi, sepse u luta aq shumë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre”.

Në një rrethanë veçanërisht prekëse, familja e Velez-it ishte shpërngulur në këtë pallat vetëm në fillim të këtij muaji, pasi më parë kishte jetuar në një strehë për të pastrehët, i tha ai medias.

Tani, Velez-i dhe familja e tij janë akomoduar në një hotel në Brooklyn, të cilin bashkia po ua vë në dispozicion personave të mbetur pa strehë si pasojë e tragjedisë.

Tetë persona humbën jetën nga shembja, mes tyre edhe dy fëmijë, përkatësisht 9 dhe 10 vjeç, ndërsa 18 të tjerë mbetën të plagosur.

Deri të enjten pasdite, Departamenti i Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY) njoftoi se operacionet e kërkim-shpëtimit dhe rikuperimit në vendngjarje kishin përfunduar dhe konfirmoi se nuk kishte viktima të tjera, shkruan NY Post.