
Partia Demokratike propozon ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kërkuar proporcional kombëtar, lista 100% të hapura dhe rikthimin e formulës së mëparshme të koalicioneve. Propozimi u bë publik nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi gjatë një interviste për A2 CNN. Sipas Bylykbashit, modeli i propozuar parashikon që Shqipëria të jetë një zonë e vetme zgjedhore, e ngjashme me sistemet që aplikohen në Kosovë dhe Izrael. Ai argumentoi se kjo formulë do t’u jepte qytetarëve më shumë ndikim në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, duke kufizuar njëkohësisht kontrollin e drejtuesve të partive mbi listat e kandidatëve.
“Çdo zgjedhës të ketë të drejtë të votojë partinë që do. Partitë do marrin mandatin mbi bazën e votës së vet dhe më pas lista e hapur për 100% për zgjedhjen e kandidatëve nga i pari tek i fundit”, deklaroi Bylykbashi. Deputeti demokrat pranoi se proporcionalja kombëtare ka edhe mangësitë e saj, veçanërisht sa i përket lidhjes së drejtpërdrejtë të deputetit me një zonë të caktuar elektorale. Megjithatë, sipas tij, përfaqësimi në shkallë kombëtare do t’i jepte më shumë peshë votës së qytetarëve dhe do të forconte pozitat e deputetëve përballë lidershipit politik.
“Deputeti merr vota nga Vermoshi në Konispol, nga e gjithë Shqipëria”, u shpreh ai, duke shtuar se një proces i tillë “heq kontrollin nga lideri politik dhe deputeti është më i fortë”. Bylykbashi u ndal edhe te përgjegjësia e partive për përzgjedhjen e kandidatëve, duke theksuar nevojën për një filtër të kujdesshëm që të shmanget përfshirja në Parlament e individëve me lidhje kriminale.
Në vijim, ai kritikoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj sistemit zgjedhor, duke pretenduar se mazhoranca synon të përfitojë mandate që nuk pasqyrojnë drejtpërdrejt vullnetin e zgjedhësve. “Ai do që të marrë pushtetin me një numër mandatesh të cilat nuk vijnë nga vota, por vijnë nga fakti vetëm se ke një mandat më shumë sesa tjetri. Kjo nuk është demokratike”, deklaroi deputeti i PD-së. Sipas tij, kërkesa për proporcional kombëtar dhe lista plotësisht të hapura po gjen mbështetje edhe jashtë politikës, ndaj partitë duhet t’i përgjigjen këtij diskutimi publik.
Sa i përket ecurisë së reformës zgjedhore dhe komunikimit me bashkëkryetarin socialist të komisionit, Damian Gjiknuri, Bylykbashi tha se deri më tani nuk ka konstatuar gatishmëri nga mazhoranca për një proces të hapur diskutimi. “Unë kam kërkuar që të ketë mbledhje dhe do ta formalizoj që të kemi mbledhje të vazhdueshme përgjatë javëve në vijim. Deri tani nuk shoh gatishmërinë”, u shpreh ai.
Deputeti demokrat kundërshtoi zhvillimin e negociatave në grupe të mbyllura, duke kërkuar që diskutimet për reformën zgjedhore të jenë sa më transparente. “Debati sa më publik, aq më i shëndetshëm është”, theksoi Bylykbashi. Në përfundim, ai e lidhi garantimin e zgjedhjeve të lira me ndarjen e partisë nga shteti dhe shmangien e përdorimit të administratës publike për qëllime elektorale.
