Rusia nuk kërkon vetëm territore të reja në Ukrainë, por edhe ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në të gjithë Europën.
Gazeta gjermane “Bild” raporton se gjatë kontakteve joformale në Abu Dhabi, përfaqësuesit e Moskës kanë paraqitur një paketë kërkesash që përfshin daljen e Finlandës nga NATO, ndalimin e bazave të Aleancës në vendet baltike dhe marrjen e plotë të rajonit të Donbasit, përfshirë territoret që ende kontrollohen nga ushtria ukrainase.
Sipas raportimit të “Bild”, propozimi lidhet me një plan më të gjerë për riorganizimin e sigurisë europiane dhe vjen nga rrethi i afërt i Vladimir Putinit. Kërkesat shtrihen edhe në Moldavi, duke parashikuar shndërrimin e saj në një republikë federale ku do të përfshiheshin Transnistria dhe Gagauzia. Në rast të anëtarësimit të Moldavisë në Bashkimin Europian, këto dy rajone do të mund të organizonin referendume për pavarësi.
Në plan përfshihet gjithashtu që Ukraina të heqë dorë përgjithmonë nga anëtarësimi në NATO dhe të mbetet jashtë aleancave ushtarake, ndërsa mundësia për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian të mos përjashtohet. Portet strategjike të Odesës dhe Mykolaivit do të çmilitarizoheshin dhe nuk do të mund të përdoreshin si baza detare. Në këmbim, Moska ofron të tërheqë armët bërthamore nga Bjellorusia dhe të mos vendosë atje raketa me rreze të mesme veprimi.
Kremlini ka mohuar pretendimin për Finlandën. Zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov deklaroi se nuk ka dijeni për një propozim të tillë dhe se Rusia nuk ka kërkuar daljen e Finlandës nga NATO. Megjithatë, sipas Yle, nuk dihet nëse propozimi i publikuar nga “Bild” ka marrë miratimin personal të Putinit dhe pretendimet nuk kanë pasur konfirmim të gjerë nga burime të tjera mediatike.
Pra, bëhet fjalë për propozime jozyrtare të raportuara nga gazeta gjermane, jo për një marrëveshje të arritur apo kushte të konfirmuara zyrtarisht nga Kremlini.
© SYRI.net