Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi ka komentuar përplasjen mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar reagimin e kryebashkiakut të Tiranës si një lëvizje politike për të mbrojtur veten dhe për të mos dalë përfundimisht jashtë skenës politike.

Në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Shehi tha se i beson pretendimeve të Veliajt për kërcënime nga Rama dhe ngre dyshime për vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut në ambientet ku mbahet kryebashkiaku. Ai shprehet gjithashtu se Rama nuk do ta përjashtojë Veliajn nga Partia Socialiste.

Sipas Shehit, Veliaj e ka kuptuar se do të qëndrojë gjatë në burg dhe se, përmes procedurave ligjore, nuk do të mund t’ja dalë të lirohet. Për këtë arsye, sipas Shehit, ai ka zgjedhur të ndryshojë kurs dhe ta zhvendosë përballjen nga plani procedural në atë politik, duke dalë hapur kundër kryeministrit Rama.

“Erion Veliaj e kuptoi që këta do ta kalbin në burg. Ky nuk mund të bëjë sikur nuk e kupton se çfarë ka ndodhur në Bashkinë Tiranë. Ky kuptoi një gjë, që ata do ta ngordhnin atje politikisht. Por mund të luante një rol në Bashkinë Tiranë. Tani ata e nxorën jashtë loje. Tani e ka kuptuar që e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur vetë dhe për të qëndruar në politikë, është të përballet politikisht me shefin. Deri dje ishte fshehur pas gishtit. Ditën që e kuptoi që me procedura këtu do të qëndrojë, reagoi politikisht. Dhe për mua ka bërë mirë”, u shpreh Shehi.

Ai argumentoi se kjo përballje i jep Veliajt mundësinë të mbrojë veten e tij, por njëkohësisht edhe të rikthehet si faktor në zhvillimet politike. Sipas Shehit, përmes kësaj strategjie, kryebashkiaku mund të përdorë edhe komunikimin me partnerët ndërkombëtarë për të ushtruar presion politik ndaj kryeministrit Rama.

“Duke bërë luftë politike ky tani, ka dalë me pelerinë, mund të çojë letra në Uashington, Bruksel, etj. Është luftë për pushtet e para. Unë bëj këtë analizë të kësaj që ka ndodhur deri më sot. Ka dalë politikisht dhe për mua ka bërë jashtëzakonisht mirë. Unë jo vetëm që e besoj Veliajn kur thotë se Rama e ka kërcënuar, por jam i sigurt që ai…”, deklaroi Shehi.

Një tjetër çështje ku u ndal politikani ishte vizita e ministrit të Drejtësisë në ambientet ku ndodhet Veliaj, në paraburgimin e Fierit. Shehi e cilësoi këtë veprim si një gabim të rëndë dhe ngriti pretendimin se vizita mund të jetë kryer me urdhër të Ramës, për t’i përcjellë Veliajt një kërcënim nga kryeministri.

“Ka shkuar ai ministri që për mua ka bërë një marrëzi të madhe. E ka urdhëruar ky, të jesh e bindur për atë punë. Se nuk shkon ministri i Drejtësisë tani në mes të natës me kapele e me tuta. Po të isha unë do shkoja, por do shkoja me xhaketë e kollare, sepse do takoja një njeri të rëndësishëm që ankohet”, u shpreh ai.

Sipas Shehit, mënyra dhe rrethanat në të cilat është zhvilluar kjo vizitë kanë krijuar një situatë që mund të përdoret politikisht nga Veliaj. Ai theksoi se një veprim i tillë, nëse synonte të përcillte një mesazh jashtë kuadrit ligjor, i jep palës tjetër hapësirë për të ngritur pretendime edhe më të forta.

“Por ditën që ti shkon të çosh një mesazh që nuk është i ligjshëm, sigurisht që palës tjetër i lind e drejta që ato 10 gjëra që i ke thënë ti t’i bëjë 50. Ai edhe po të sajojë disa gjëra tani, ne i besojmë të gjitha. Sepse të gjithë hapat janë bërë jashtë ligjit. Na krijojnë gjithë atmosferën e kësaj situate”, vijoi Shehi.

Në vijim, ai u shpreh se, sipas këndvështrimit të tij, zhvillimet e fundit e kanë vendosur Veliajn në një pozicion më të favorshëm për të artikuluar pretendimet e tij.

“E vërteta është nga ana e këtij tani, Veliajt. Sepse natën i ka shkuar ai, nuk i ka dalë Veliaj atij”, tha Shehi.

Në fund, ai komentoi edhe mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste nesër, duke parashikuar se kryeministri Edi Rama nuk do të marrë vendimin për përjashtimin e Veliajt nga partia.

“Nesër në Asamblenë e PS Rama s’ka për ta përjashtuar Veliajn”, përfundoi Dashamir Shehi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:49
Dashamir Shehi thirrje publike Berishës: Dil kandido për Bashkinë e Tiranës, kjo është loja më e madhe që ka opozita! Merr shembullin e Ramës, ai hynte në garë dhe fitonte

1794603029_dashamirshehi.png

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, nga emisioni ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë kryedemokratit Sali Berisha që të garojë për Bashkinë e Tiranës, nëse vërtet dëshiron që të sjellë opozitën në pushtet.

Duke marrë shembullin e kryeministrit Edi Rama, Shehi tha se ai hynte në garë për Bashkinë Tiranë dhe fitonte, gjë që sipas tij e ‘katapultoi’ më pas në krye të Qeverisë.

“E di kush do ishte formula më e ndershme? A je ti Berisha kryetari i opozitës, ja ku është vendi i Bashkisë, ik e bëj garë. Lojë më të madhe se kjo nuk ka opozita. Berisha të kandidojë për Bashkinë, siç kandidoj Rama që u bë kryetar i bashkisë së PS. Me ça u bë kryeministër ai? Me Bashkinë e Tiranës. Rama hynte dhe fatkeqësisht fitonte. Logjika formale kjo do ishte. Kush është gjëja më e rëndësishme në garë? Bashkia, ik e futu. Jo po nuk futem. Të vij ai që është i dyti i partisë. Kjo teoria e kotë që duhet të jetë nga shoqëria civile, më duket e kotë”, tha mes të tjerash Shehi.