Valbona Selimllari ka reaguar ndaj lajmeve që kanë qarkulluar së fundmi për një dhunim të pretenduar ndaj saj, duke i mohuar kategorikisht. E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, ajo tregoi se, sipas saj, ka qenë vetë në situata kur ka ushtruar dhunë fizike ndaj djemve që janë përpjekur t’i afrohen.
Gjatë bisedës me moderatorin Luiz Ejlli, Selimllari u pyet se si do ta përshkruante veten. Ajo tha se nuk ka qenë asnjëherë e zonja në prezantimin e vetes, por e cilësoi veten si një person të paqtë, me personalitet të fortë.
“ O sa kam rrahur. Jam nga ’91 dhe ’97”, u shpreh ajo duke qeshur.
Biseda vijoi me lajmin e publikuar së fundmi, sipas të cilit Selimllari ishte dhunuar. Ajo e mohoi këtë pretendim dhe tregoi se kishte pasur raste kur kishte reaguar fizikisht ndaj personave që, sipas saj, kishin tentuar t’i afroheshin.
“O Luiz, sa djem i kam rrahur, kurrë nuk ka ndodhur në jetën time të më dhunojë dikush. Nuk e di pse e bëjnë. Dy nga ato 3 djemtë që i kam rrahur, kanë guxuar të më afrohen”, tha Selimllari.
Gjatë intervistës, ajo foli edhe për eksperiencën e saj në aktrim, duke treguar se ka pasur vetëm një rol në filmin “Don Zhuan”.
E pyetur për paqen, duke iu referuar edhe përvojës së saj si Miss, Selimllari u shpreh se ajo është thelbësore për jetën dhe se shpreson që situatat e konfliktit në botë të marrin fund sa më shpejt.
“Pa paqe nuk ka jetë. Po tani ka marrë një vlerë tjetër. Lutem për paqe shumë shpejt. Pa dashur mundohem ta shmang realitetin. Më dhemb shpirti. Po ta kisha në dorë me një shkop magjik do kisha zhbërë”, u shpreh ajo.
Selimllari tregoi gjithashtu se tre fëmijët e saj janë burimi ku gjen qetësinë, edhe pse përgjegjësitë si nënë bëjnë që ajo ta humbasë herë pas here atë.
Ajo foli edhe për raportin me rrjetet sociale, duke thënë se është pak aktive në Instagram dhe se ka ndryshuar algoritmin për të shmangur përmbajtjet që e shqetësojnë.
Sa u përket komenteve në postimet e saj, Selimllari tha se nuk i lexon, por e kupton kur diçka nuk shkon, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët e saj.


