Çfarë e lidh 11 Shtatorin dhe krizën e sotme të fluturimeve në SHBA?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë urdhëruar pezullimin e nisjeve të avionëve në të gjitha aeroportet e vendit, një masë jashtëzakonisht e rrallë që ndërmerret vetëm në situata emergjente.
Sipas raportimeve, kjo është vetëm hera e dytë që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 që Administrata Federale e Aviacionit (FAA) vendos një ndalim të tillë në nivel kombëtar.
Pas sulmeve të 11 shtatorit, FAA kishte urdhëruar ndalimin e trafikut ajror në të gjithë vendin për arsye sigurie, shkruan skynews.
Rasti tjetër ndodhi në janar të vitit 2023, kur një defekt në sistemin e njoftimeve për pilotët shkaktoi pezullimin e përkohshëm të nisjeve të avionëve në aeroportet amerikane.
Ndërkohë, vendimi i fundit lidhet me probleme teknike në sistemet e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka konfirmuar se problemi ka prekur të gjitha qendrat e kontrollit ajror në SHBA, ndërsa ekipet teknike po punojnë për të identifikuar shkakun.
FAA ka urdhëruar që avionët të qëndrojnë në tokë deri në një njoftim të dytë, ndërsa fluturimet ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA do të trajtohen rast pas rasti.
Ende nuk dihet se kur do të rifillojnë normalisht fluturimet. /Telegrafi/




































