Një mendim personal për zëdhënësin e Egnatias!

Nga: Rezart Dabulla (unë jap gjithmonë mendime personale)
Të dielën isha i ftuar në emisionin Mega Sport në A2 CNN, ku diskutuam për kampionatin Abissnet Superiore dhe ku u diskutua për pjesëmarrjen e vogël të tifozëve në kampionatin tonë.
Por të hënën në darkë, një miku im më dërgoi një shkrim në Facebook të zëdhënësit të Egnatias, Xhevdet Zekaj.
Xhoda ishte shumë i shqetësuar se gjatë programit televiziv unë kisha deklaruar që Egnatia ka në stadium aq tifozë sa dikur shkonin te Tirana në stërvitje.
Dhe ky është fakt.
Deklarata ishte marrë e shkëputur nga konteksti nga zëdhënësi i Egnatias, pasi nuk kishte dëgjuar vlerësimet për arritjet e klubit.
Jam i bindur se Xhoda nuk e ka parë të plotë emisionin, por ka ndjekur vetëm “Reels”. Për Egnatian, gjatë gjithë kohës kam shprehur vlerësimin tim për punën e bërë, pasi rezultatet flasin vetë.
Madje kam theksuar që të gjitha klubet shqiptare, përfshirë Tiranën dhe Partizanin, duhet ta ndjekin si një shembull suksesi.
Por zëdhënësi nuk u mor me thelbin e gjësë, por u fokusua vetëm te numri i tifozëve. Unë nuk mund t’ia shtoj tifozët Rrogozhinës, kjo dihet, ai është një qytet i vogël.
Më tej, zëdhënësi u mor në mënyrë të pakuptimtë me karrierën time futbollistike dhe më ka habitur me pasaktësinë e tij, kur thoshte se kam fituar vetëm një kampionat me Tiranën.
I pasaktë!
Në fakt, unë me Tiranën kam fituar 6 herë titullin kampion, 6 herë Kupën e Shqipërisë dhe 7 herë Superkupën, si pak kush në historinë e këtij sporti në Shqipëri. Dhe këto trofe i kam fituar si protagonist në fushë, jo thjesht si pjesë e organikës së pasur të ekipit. Ndaj, kjo më jep të drejtën legjitime të flas për futbollin dhe të jap mendime personale, madje më tepër sesa mund të flasë Xhoda për futbollin apo gazetarinë.
Në shkrim shkruhej që kisha luajtur gjithashtu edhe për Lushnjën, Vllazninë dhe Peqinin. Vetëm këtu je i saktë. Por një gjë: unë jam krenar që kam luajtur për këto klube, të cilat në ato kohë i kishin stadiumet plot. Madje, edhe sot që militojnë në kategoritë inferiore, besoj se kanë më shumë tifozë se Egnatia, dhe absolutisht nuk duhen nënvlerësuar ose bullizuar, siç keni qejf ta përdorni ju këtë shprehje. Sepse historia e futbollit shqiptar nuk fillon me Egnatian, si pretendon ti.
Xhevdet, nuk po merrem me karrierën tënde në media, se të them të drejtën nuk e mbaj mend mirë. E di që dikur flisje me zell për Dinamon, siç bën tani për Egnatian. E di që ke qenë në SHIK, pedagog në Elbasan dhe ke pasur një pasion të veçantë për rusishten.
Të jem i sinqertë, nga ty prisja një tjetër nivel shkrimi. Gjithsesi, dua të theksoj edhe njëherë vlerësimin tim për punën që është bërë në klubin e Egnatias, për lojtarët që ka në organikë, për titujt kampionë dhe për ecurinë europiane.
Atje duket që presidenca, stafi dhe lojtarët po punojnë fort dhe me efikasitet për ta përmirësuar këtë klub akoma më shumë. Por, nëse presidenca apo drejtuesit duan një mendim personal nga unë, kam një sugjerim për ta: mangësia e Egnatias është mbulimi mediatik dhe sa më shpejt PR-i duhet të ndryshojë. (Domethënë, problemi je ti, Xhode). Ti me nivelin tënd nuk i përgjigjesh ecurisë europiane të Egnatias.
Dhe këtë mendim timin personal në opinionin sportiv e ndajnë edhe shumë të tjerë! Prandaj, forca Egnatia!
360grade.al



















