Mashtrimi me 50 mln euro përmes call center-ave, GJKKO nxjerr nga qelia Merxhan Çelikun!

Gjykata e Posaçme ka vendosur të nxjerrë nga burgu Merxhan Çelikun, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se ka përvetësuar miliona euro përmes mashtrimeve me call center-a. Çeliku, i cili u arrestua në Abu Dhabi në vitin 2024 pas dy vitesh arrati, do të qëndrojë në arrest shtëpie.

Vendimi është marrë më 9 nëntor 2026 nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka pranuar kërkesën e paraqitur nga Çeliku më 2 shtator për zëvendësimin e masës së sigurisë. Sipas vendimit të GJKKO-së, Çeliku nuk lejohet të largohet nga banesa e tij, ndërsa është urdhëruar lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi, nëse nuk mbahet aty për ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi.

Çeliku ishte shpallur në kërkim në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për një skemë mashtrimi përmes call center-ave, që dyshohet se u kishte shkaktuar qytetarëve dëme prej miliona eurosh. Ai u arrestua në vitin 2024, falë shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare, Interpolit dhe autoriteteve në Abu Dhabi, dhe më pas u ekstradua në Shqipëri.

Skema u zbulua në nëntor 2022, gjatë një operacioni ndërkombëtar të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle, në bashkëpunim me SPAK. Autoritetet zbuluan 15 call center-a, nga të cilët gjashtë ndodheshin në Shqipëri, ndërsa të tjerët në Gjeorgji, Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut.

Punonjësit e këtyre qendrave telefonike kontaktonin qytetarë, kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian, duke u prezantuar si ndërmjetës investimesh në kriptovaluta. Ata u premtonin fitime të mëdha në këmbim të shumave fillestare relativisht të vogla.

Por paratë që qytetarët mendonin se po investonin dyshohet se përvetësoheshin nga grupi kriminal. Sipas të dhënave të publikuara për këtë skemë, numri i personave të mashtruar llogaritet në mijëra, ndërsa dëmi i shkaktuar arrinte në rreth 50 milionë euro në çdo tremujor.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri