Kaos në aviacionin amerikan, ndalohen të gjitha fluturimet drejt SHBA pas një defekti në komunikimin e kontrollit ajror
Fluturimet e brendshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur të rifillojnë pas një ndërprerjeje disaorëshe, e shkaktuar nga shqetësimet për sigurinë e trafikut ajror, pas një problemi në rrjetin e telekomunikacionit.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, bëri të ditur se situata lidhej me teknologjinë e vjetruar të kontrollit të trafikut ajror dhe mbingarkesën e pajisjeve të rrjetit. Ai paralajmëroi se rikthimi në normalitet do të kërkojë kohë dhe u bëri thirrje vazhdimisht ligjvënësve në Kongres që të sigurojnë fondet e nevojshme për modernizimin e sistemit.
Duffy theksoi se procesi i rikuperimit do të jetë i ngadaltë, por siguroi se situata nuk pritet të ndikojë në udhëtimet gjatë festës së Falënderimeve, që në SHBA festohet pas disa javësh.
Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se ndërprerja e fluturimeve nuk ishte shkaktuar nga ndonjë kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe as nuk kishte lidhje me problemin e madh që preku shërbimet e Microsoft gjatë kësaj jave.
Rreth 1.5 milionë udhëtarë të prekur
Ndërprerja shkaktoi kaos në transportin ajror, me rreth 1.5 milionë persona të prekur nga anulimet dhe vonesat, sipas vlerësimeve të kompanisë së të dhënave të aviacionit Cirium.
Për më shumë se katër orë, hapësira ajrore amerikane u boshatis gradualisht, ndërsa avionët që ndodheshin në fluturim u lejuan të uleshin në destinacionet e tyre, por nisjet e reja u pezulluan.
Rasti ka rikthyer në vëmendje problematikat e infrastrukturës teknologjike të kontrollit të trafikut ajror në SHBA dhe nevojën për investime në modernizimin e saj.
Top Channel