Rikthehen fluturimet në SHBA pas disa orësh bllokim, mijëra pasagjerë mbeten të prekur nga kaosi në aeroporte

Botë | 3 minuta më parë

Fluturimet në Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar gradualisht pas disa orësh ndërprerjeje, pasi një problem në sistemin e kontrollit të trafikut ajror detyroi Administratën Federale të Aviacionit (FAA) të urdhëronte ndalimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve në vend.

Megjithëse avionët kanë nisur të ngrihen sërish, situata në aeroportet amerikane vijon të jetë e rënduar. Mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa kompanitë ajrore po përpiqen të rikthejnë në normalitet operacionet dhe të sistemojnë avionët, pasagjerët, bagazhet dhe ekuipazhet e zhvendosura nga ndërprerja.

Sipas të dhënave të gjurmuesit të fluturimeve FlightAware, më shumë se 15 mijë fluturime u vonuan ose u anuluan gjatë së premtes, ndërsa rreth 3 mijë të tjera pritet të preken nga vonesat dhe anulimet gjatë së shtunës.

Ndalimi i fluturimeve u vendos nga FAA pas problemeve të konstatuara në sistemin e telekomunikacionit dhe atë të kontrollit të trafikut ajror. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ruterat e përdorur në këtë sistem, të cilët i cilësoi si teknologji shumë të vjetër, u mbingarkuan nga sasia e të dhënave dhe nisën të jepnin lexime të pasakta.

Autoritetet kanë sqaruar se incidenti nuk lidhej me ndonjë kërcënim ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe as me ndërprerjen e raportuar së fundmi në sistemet e Microsoft.

Pas ngjarjes, zyrtarët e administratës paralajmëruan se probleme të ngjashme mund të përsëriten nëse nuk ndërhyhet për modernizimin e infrastrukturës së kontrollit ajror. Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Kongresit të sigurojë fondet e nevojshme për përmirësimin e kullave të kontrollit, terminaleve dhe sistemeve të tjera kritike.

Edhe pse ndalimi i fluturimeve është hequr dhe operacionet kanë rifilluar, kthimi në normalitet pritet të kërkojë kohë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme