Tokat më të mbrojtura nga erozioni, Jaku: Duhet bashkimi i argjinaturave që të ketë mbrojtje të plotë në Gurin e Zi

Sociale | 1 minutë më parë

Ndërhyrja në ndërtimin e argjinaturës në fshatrat Ganjoll e Juban, ka dhënë rezultate pozitive, duke frenuar dëmtimin e tokave nga prurjet e lumit, veçanërisht gjatë periudhave me reshje të dendura. Sipas kryeplakut të Jubanit, Ferdinand Jaku, argjinaturat kanë ndikuar në mbrojtjen e sipërfaqeve bujqësore, të cilat prej vitesh rrezikoheshin nga erozioni.

“Ndërtimi i argjinaturës ka ndikuar pozitivisht, duke mbrojtur këto toka bujqësore, të cilat normalisht përdoren edhe për turizëm, kryesisht gjatë periudhës së verës. Por është shumë e rëndësishme që këto dy segmente argjinaturash të lidhen me njëra-tjetrën, pasi pjesa tjetër ndodhet më lart dhe duhet të mbrohet e gjithë kjo tokë. Siç shihet, përpara ndërtimit të argjinaturës, këto toka rrezikonin të humbisnin krejtësisht për shkak të erozionit dhe rrjedhës së lumit Drin”, u shpreh kryetari i fshatit Juban, Ferdinand Jaku.

Megjithatë, për të garantuar një mbrojtje më të plotë, kryeplaku kërkon bashkimin e dy argjinaturave, në mënyrë që të krijohet një brez i vazhdueshëm mbrojtës përgjatë lumit. Sipas tij, kjo ndërhyrje do të ndihmonte jo vetëm në parandalimin e erozionit, por edhe në frenimin e marrjes së inerteve nga shtrati i lumit.

“Absolutisht. Edhe ne, si banorë të kësaj zone, përveç punëve që kryejmë në këto toka bujqësore, duhet të mos i abuzojmë ato duke marrë inerte apo duke gërmuar, pasi këto veprime ndikojnë negativisht në mbrojtjen e kësaj zone dhe të këtij territori”, tha ai.

Me afrimin e dimrit dhe shtimin e prurjeve lumore, banorët kërkojnë që ndërhyrjet të mos mbeten të pjesshme, por të vijojnë deri në garantimin e mbrojtjes së plotë të tokave bujqësore dhe pronave të tyre.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme