Shqiptari 35-vjeçar dyshohet për vjedhje në Zvicër, policia e kap me dron
Një shtetas 35-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Hünenberg të kantonit Zug, në Zvicër, pasi dyshohet se kishte hyrë me forcë në një apartament në zonën Schlattwäldli. Identifikimi dhe kapja e tij u mundësuan falë një droni të policisë, i cili e lokalizoi të dyshuarin gjatë arratisjes.
Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, pak para orës 19:00, kur policia e Zugut mori një njoftim se një person i dyshuar për vjedhje me thyerje ndodhej brenda një apartamenti në Schlattwäldli të Hünenbergut. Patrullat policore u dërguan menjëherë në vendngjarje, por ndërkohë i dyshuari ishte larguar nga banesa, raporton Blick.
Policia nisi kërkimet për gjetjen e tij dhe aktivizoi një dron. Gjatë kontrollit nga ajri, droni vërejti një person të dyshimtë në një fushë në lindje të pronës. Kur vuri re dronin e policisë, personi u largua dhe u fsheh në një zonë industriale.
Falë fotografive ajrore dhe pamjeve të vazhdueshme të dronit, policët arritën ta lokalizonin të arratisurin dhe më pas ta arrestonin. Ai u dërgua në paraburgim, transmeton Telegrafi.
Prokuroria kërkon paraburgimin për shqiptarin
Policia e Zugut konfirmoi se i arrestuari është një shtetas 35-vjeçar shqiptar.
Zyra e Prokurorit të Kantonit të Zugut ka hapur një hetim penal ndaj të dyshuarit dhe do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.
Shqiptari dyshohet për përfshirje në vjedhjen me thyerje në apartamentin në zonën Schlattwäldli, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/




























