Nga qelia e burgut të Fierit, Erion Veliaj i është drejtuar Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me një kërkesë për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të partisë, Edi Rama.
Në një letër të gjatë, të datës 13 nëntor 2026, dërguar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, Veliaj kritikon mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste, duke pretenduar se vendimmarrja është përqendruar në duart e një apo dy individëve dhe se forumet partiake kanë humbur rolin e tyre real.
“Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, është mesazhi kryesor i letrës, përmes së cilës Veliaj kërkon ndryshimin e modelit të drejtimit dhe hapjen e një debati të brendshëm për të ardhmen e partisë.
Veliaj i kërkon Asamblesë Kombëtare që të nisë procedurën për shqyrtimin e përgjegjësisë politike të Edi Ramës në krye të PS-së, duke kërkuar që anëtarëve t’u garantohet mundësia për të shprehur qëndrimin e tyre sipas Statutit.
“Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje me Statutin dhe me rregullat përkatëse të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen sipas Statutit”, thuhet në letrën e Veliajt.a.b



