Aktualitet

Vidhnin makina për veprimtari kriminale, arrestohet 51-vjeçari/Dy në kërkim!

Pesë raste të vjedhjes së automjeteve në Mallakastër, Lushnjë dhe Divjakë janë zbardhur nga policia e Fierit, në kuadër të operacionit të koduar “Hijet e Natës”. Një 51-vjeçar u arrestua, ndërsa dy persona u shpallën në kërkim. Dyshohet se vidhnin automjete, për t’i përdorur për veprimtari kriminale. Në pranga ra shtetasi Gjevahir Ceka.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Hijet e Natës”.

Vidhnin automjete në Mallakastër, Lushnjë dhe Divjakë, dyshohet për t’i përdorur për veprimtari kriminale. Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkautorë.

Zbardhen 5 vjedhje automjetesh në qarkun Fier.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet e Natës”, për zbardhjen dhe dokumentimin e disa rasteve të vjedhjes së automjeteve.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj.C., 51 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit K.M., 28 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë, dhe E.D., 34 vjeç, banues në Lurth, Mirditë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 13.11.2026, kanë vjedhur dy automjete në fshatin Hekal, Mallakastër.

Në vijim të hetimeve, janë dokumentuar edhe 3 raste të tjera të vjedhjes së automjeteve, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, konkretisht:

-Më datë 08.01.2026, në fshatin Feras, Divjakë, kanë vjedhur një automjet;

-Më datë 13.09.2026, në fshatin Çermë Proshkë, Divjakë, kanë vjedhur një automjet;

-Më datë 18.10.2026, në fshatin Dushk, Lushnjë, kanë vjedhur një automjet.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Lezhë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Ndërkohë, vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.