Nga Boldnews.al
Prej tre muajsh kryeministrit Edi Rama çdo udhëtim nëpër botë i është bërë bajat me thirrjet: “hajdut”; “jepe dorëheqjen”; “Shqipëria nuk është në shitje”; “kriminel”, etj. Janë zëra të shqiptarëve të ikur. Disa të stabilizuar mirë ekonomikisht dhe me karrierë, të tjerë më pak të integruar dhe në tentativë për më mirë. Ama të gjithë kanë një shqetësim që lidhet me Shqipërinë, ay ku vetë kanë rrënjët dhe të afërmit.
Nuk ka rëndësi numrat që shfaqen, por thirrjet dhe mesazhi që mbetet aty në kancelaritë e Europës dhe mbi të gjitha prishja e një imazhi të shtirur të një kryeministri që tentoi të “shiste sharm” në butikët e Europës, por përfundoi në “pazarin e ballkanit”. Në dy raste drejt Ramës është hedhur edhe vezë në SHBA dhe së fundmi edhe në Iralandë, por pa e prekur. Veza nuk të lëndon, ama të bën pis, të shpërfill, të poshtëron dhe denigron. Pikërisht kjo është ajo që jo vetëm e tremb, por e lëndon thellësisht një kryeministër që parësore ka imazhin, propagandën dhe shtirjen.
Nëpër botë Rama nuk është më si më parë. I vetmi çengel ku mbahet është presidenti francez Emmanuel Macron i cili thjesht numëron ditët e mbetura të pushtetit, gjithashtu edhe “motra Meloni” nuk është në shkëlqimin e saj. Çdo shtet tjetër ruan një koperturë shtetërore, por kryeministri ynë që nuk linte samit dhe organizim paçavure pa ndjekur, tashmë është në përpjekje për të shitur si “mish me tule” ndonjë “kockë të kalbur” që serviret nga zyrtarucët e Brukselit në emër të integrimit.
Edhe këtë askush nuk po ia beson më, madje as të vetët, qofshin të lirë që bëjnë gjumin e parehatshëm në dyshekët me miliona të vjedhur, apo të pasur por në burg, po për milionat e vjedhura. Shpërfillja deri në neveri është arma që e vret fort pushtetin e konsideruar të paprekshëm, të fortë dhe kontrolluar nga një dorë. Çdo pushtet ishte dhe është nën kontrollin e tij, pushteti legjislativ, ekzekutivi gjyqësori, madje edhe pushteti i katërt (media).
Rama nuk konsideroi një pushtet tjetër, atë të padukshmin, por të madh, i cili ka marrë fuqi nëpërmjet protestës. Ata janë qytetarët që sot më shumë se ta sulmojnë thjesht po e përçmojnë dhe i kanë fekalosur imazhin. Kryeministri po jeton ditët më të errëta politike. Qartësisht e kupton se nuk po qeveris, por thjesht po mban pushtet, pasi edhe nëse do të tentojë të qeverisë ai nuk merr dot qoftë edhe një nismë të vetme, pasi darët e arta që u investuan nga oligarkia dhe krimitashmë po i shtrëngohen fort, deri në kastrim politik.













