Sulm kibernetik ndaj Milanit, çfarë të dhënash kanë përfunduan në duar të gabuara
Skiatorja kuqezi renditet e dyta pas zbritjes së parë në Finlandë, duke konfirmuar ambiciet për një tjetër podium në Kupën e Botës. Prova e dytë zhvillohet në orën 13:00 dhe Lara synon të përsërisë suksesin e një viti më parë.
Lara Colturi nis në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në ndalesën e radhës të Kupës së Botës në ski alpine. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë ka regjistruar një paraqitje të shkëlqyer në zbritjen e parë të slalomit në Levi të Finlandës, duke u renditur në vendin e dytë me kohën 56.10 sekonda.
Përpara saj është vetëm gjermania Emma Aicher, e cila ndali kronometrin në 55.74 sekonda, duke krijuar një diferencë prej vetëm 0.36 sekondash me skiatoren kuqezi. Në vendin e tretë pozicionohet kroatja Zrinka Ljutic me 56.62 sekonda, 0.52 sekonda pas Larës. Klasifikimi pas zbritjes së parë premton një garë shumë të fortë për provën përfundimtare. Colturi ka krijuar një pozicion të favorshëm për të luftuar për fitoren, ndërsa diferencat e vogla mes konkurrenteve kryesore e bëjnë çdo detaj vendimtar.
Për skiatoren shqiptare, Levi është gjithashtu një pistë me kujtime të bukura. Një vit më parë, më 15 nëntor 2025, Lara përfundoi në vendin e dytë në këtë garë, pas amerikanes Mikaela Shiffrin. Kjo e fundit triumfoi me një diferencë prej 1.66 sekondash ndaj Colturi, e cila arriti të ruante pozicionin e dytë edhe pas zbritjes përfundimtare. Këtë herë, objektivi është sërish podiumi, por diferenca prej vetëm 36 të qindtat nga vendi i parë e mban Larën në garë edhe për fitoren. Një zbritje e pastër, pa gabime dhe me ritmin e duhur, mund t’i japë mundësinë të synojë suksesin më të madh të ditës.
Zbritja e dytë e slalomit për femra në Levi zhvillohet këtë të shtunë, më 14 nëntor, në orën 13:00 me orën shqiptare. Emocionet e garës mund të ndiqen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Digitalb, që transmeton Kupën e Botës në ski alpine. Shqipëria pret me padurim një tjetër paraqitje të madhe të Lara Colturi, e cila ka mundësinë të përsërisë historinë e një viti më parë dhe të luftojë për një tjetër podium në elitën e skive botërore.
Top Channel