Lali thirrje socialistëve t’i bashkohen që të largojnë Edi Ramën nga PS

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 14.11.2026, 11:47

Nga ambientet e paraburgimit në Fier, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ndërmarrë një lëvizje të papritur politike brenda radhëve të Partisë Socialiste.

Përmes një mesazhi personal drejtuar anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, ai ka shpërndarë fjalimin e tij të përgatitur për këtë forum, ku lëshon akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kërkon zyrtarisht nisjen e procedurave për mocion mosbesimi.

Në materialin e titulluar “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, Veliaj e pozicionon Ramën si fajtorin kryesor për mënyrën se si funksionon aktualisht struktura socialiste, duke ngritur shqetësimin e përqendrimit të tejskajshëm të pushtetit dhe zëvendësimit të meritës me besnikërinë.

“Përgjegjësia kryesore politike për modelin e drejtimit të partisë, për funksionimin e organeve të saj dhe për mekanizmat e llogaridhënies i takon atij”

Sipas Veliajt, PS ka humbur identitetin e saj të dikurshëm të debatit dhe guximit politik, duke u shndërruar në një organizatë ku mbizotëron frika e vendimmarrjes së lirë.

“Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes”

Kryebashkiaku thekson se pavarësisht kontributit historik të Ramës në reformimin e partisë në të kaluarën, sot ai përfaqëson pengesën kryesore për çdo zhvillim apo ndryshim të mëtejshëm.

“Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj”

Përveç kritikave për strukturën e brendshme të partisë, fjalimi përfshin edhe pretendime për ndërhyrje në autonominë e qeverisjes vendore, ku Veliaj flet për presione dhe kërcënime që, sipas tij, i janë përcjellë për të kërkuar dorëheqjen e tij nga Bashkia e Tiranës, çështje për të cilën kërkon hetim parlamentar.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Veliaj u kërkon anëtarëve të Asamblesë që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale, duke vënë theksin te fakti se asnjë figurë politike nuk është e pazëvendësueshme.

“Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit