Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e Partisë Socialiste se protesta, që sipas tij nisi për arsye krejt të tjera, u instrumentalizua politikisht dhe u kthye në një ofensivë dhune.
“Kush udhëheq duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart se zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa humbur kthjelltësinë e shikimit. Ky është një moment i tillë.
Në raportin më të fundit për zgjerimin, KE-ja ka shkruar një frazë, e cila nuk ka zënë vend, se s’ka se si të zërë vend asgjë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit, në kushtet kur vendi po jeton nën presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune, në dukje kundër qeverisë, por në fakt kundër mënyrës se si ne duam që Shqipëria të shkojë përpara”, tha Rama.










