Kryesocialisti Edi Rama tha se përgjatë viteve të Partisë Socialiste në pushtet janë kryer reforma e ndryshime të rëndësishme, në dobi të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE. Në fjalën e tij në Asamblenë e PS, ai thotë se rekomandimi për Traktatin e Anëtarësimit dhe kritikat se Shqipëria po rrokulliset në humnerë, s’mund të rrinë bashkë.
“Erdhi një gazetar për të ndjekur flamingot dhe shkoi në Kamëz aty ku zakonisht janë kërkuar gjithmonë revolucionarët më të gatshëm për të djegur Tiranën. Kur u takuam më tha shkollat që kam parë në Kamëz nuk janë në lagjen më të pasur të qytetit tim. Po infrastruktura e Shqipërisë sot? Po shërbimet publike sot? Po vetë ky proces për të cilin unë e kam thënë që dhe unë vetë kam qenë i tmerruar, isha pre e idesë që administrata jonë nuk kishte kapacitete për të përballuar jetën e re me Europën. Thosha me kë do t’i bëjmë negociatat ne, kur të ulim këta tanët përballë atyre robotëve të BE? Jo një e dy, as 10, as 100, 1000 vetë! Përfshirë të gjitha këto që janë baza, arsyeja themelore pse sot njerëzit kanë pritshmëri shumë më të madhe dhe pse nuk gëzohen më pse po shtrohet një rrugë apo po rregullohet një urë, është e vërtetë e madhe politike, tamam dielli që nuk mbulohet me shoshë: Traktati i anëtarësimit të Shqipërisë. S’ka si të jetë në të njëjtën kohë e vërtetë që Shqipëria po bie në humnerë pafund dhe Shqipëria po hyn në faqen e fundit të BE duke përgatitur traktatin e anëtarësimit. Këto të dyja nuk rrinë bashkë!”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Asambleja e PS, Rama mban fjalën: Protesta u kthye në ofensivë dhune kundër rrugës që po merr Shqipëria








