
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e studentëve gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, që po zhvillohet në Gjirin e Lalzit. Ai e cilësoi protestën si të instrumentalizuar politikisht, duke pretenduar se ajo ka nisur për arsye të tjera, por më pas është shndërruar në një ofensivë dhune kundër qeverisë.
Në nisje të fjalës së tij, Rama u ndal te situata politike në vend dhe raporti i fundit i Komisionit Evropian për zgjerimin, duke theksuar se drejtuesit politikë duhet të ruajnë kthjelltësinë përballë tensioneve dhe zhvillimeve të fundit.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria po përjeton një presion të brendshëm dhe se zhurma politike rrezikon të largojë vëmendjen nga arritjet dhe ecuria e vendit.
“Çdokush duhet të kuptojë ku ndodhet vendi, pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart se zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa e humbur kthjelltësinë e shikimit.
Ky është ekzaktësisht një moment i tillë. Në raportin më të fundit për zgjerimin, Komisioni Evropian ka shkruar një frazë, e cila nuk ka zënë vend, sepse nuk ka sesi të zërë vend asgjë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit.
Në kushtet kur vendi po jeton një presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune kundër qeverisë në dukje, por në fakt kundër mënyrës se si ne e duam që Shqipëria të shkojë përpara”, u shpreh Rama.
Fjalimi i kryeministrit pritet të vijojë me qëndrimet e tij mbi zhvillimet politike, procesin e integrimit evropian dhe sfidat me të cilat përballet Partia Socialiste.