Driton Idrizi u bën thirrje shqiptarëve në Slloveni: Ruajeni identitetin tuaj dhe ecni përpara me krenari

Driton Idrizi, shqiptari me prejardhje nga Gostivari, i cili kandidon për Këshillin e Qytetit të Lubjanës në Slloveni, u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet të jenë krenarë për prejardhjen, gjuhën dhe identitetin e tyre, si dhe të jenë më aktivë në jetën shoqërore dhe institucionale.
Në një intervistë për Telegrafi Diasporë, Idrizi ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve në zhvillimin e Sllovenisë, duke theksuar se puna dhe angazhimi i tyre meritojnë respekt dhe vlerësim.
“Mesazhi im për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Lubjanë dhe në mbarë Slloveninë është që të jenë krenarë për prejardhjen, gjuhën dhe identitetin e tyre, por njëkohësisht të ndihen pjesë e barabartë e shoqërisë sllovene.
Personalisht, jam krenar për origjinën time shqiptare, ashtu siç jam krenar për rrugëtimin dhe jetën që kam ndërtuar në Slloveni. Shqiptarët kanë punuar shumë, kanë krijuar familje, kanë hapur biznese dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Sllovenisë. Ky kontribut meriton respekt dhe vlerësim. Prandaj, i inkurajoj të jenë më aktivë në jetën shoqërore dhe institucionale dhe të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tyre”, ka thënë Idrizi.
Ai u është drejtuar veçanërisht të rinjve shqiptarë, duke i inkurajuar të investojnë në arsim, të besojnë në veten e tyre dhe të mos lejojnë që vështirësitë t'i ndalojnë në rrugën drejt suksesit.
“Veçanërisht dua t'u drejtohem të rinjve shqiptarë: besoni në veten tuaj, investoni në arsim dhe punoni për ëndrrat dhe qëllimet tuaja. Rruga drejt suksesit nuk është gjithmonë e lehtë. Përkundrazi, shpesh është e mbushur me sfida, sprova, sakrifica dhe net pa gjumë”, ka thënë Idrizi, për Telegrafin.
Ai ka theksuar se rrugën e sfidave dhe sakrificave drejt suksesit e ka përjetuar edhe vetë, ndërsa ka inkurajuar të rinjtë të mos dorëzohen përballë vështirësive.
“Është një rrugë nëpër të cilën kam kaluar dhe vazhdoj të kaloj edhe unë, së bashku me familjen time, çdo ditë. Por, me punë, përkushtim dhe këmbëngulje, çdo pengesë mund të tejkalohet kur beson në veten tënde. Mos lejoni që vështirësitë t'ju kufizojnë.
Ruajeni identitetin tuaj dhe ecni përpara me krenari!”, ka deklaruar ai.
Në fund, Idrizi u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2026 në Lubjanë.
Ai kandidon në listën “Ljubljana smo vsi”, me numrin 3, ndërsa numri i tij për votën preferenciale është 10./Telegrafi/





































