Veton Surroi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7, më 12 nëntor, duke i cilësuar si trillime pretendimet e tij për familjen Surroi.
Në një reagim në Facebook, Surroi mohon se e ka çuar ndonjëherë Haxhiun në banesën e nënës së tij, Nahire, në vitin 1998. Ai e cilëson të sajuar edhe historinë e treguar nga gazetari për fotografinë e Titos në banesë dhe bisedën që pretendohet se ka zhvilluar me të ëmën.
“Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij”, shkruan Surroi.
Por në reagimin e tij, Surroi shkon më tej, duke ngritur akuza të rënda ndaj Haxhiut për marrëdhëniet e tij të pretenduara me strukturat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë gjatë vitit 1998.
Sipas Surroit, në atë periudhë Haxhiu kishte pranuar një ftesë për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, drejtues të shërbimit sekret serb në Prishtinë, me qëllim hapjen e një kanali komunikimi mes shefit të këtij shërbimi, Jovica Stanishiq, dhe Mahmut Bakallit.
Surroi pretendon se Haxhiu, në bashkëpunim me Stijoviqin, kishte koordinuar takimet e përfaqësuesve të shërbimit sekret serb me Bakallin, në banesën e këtij të fundit në Prishtinë dhe në një hotel të shërbimit në Brezovicë.
Ai i referohet gjithashtu dëshmive të Mahmut Bakallit në gjyqin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë, duke pretenduar se roli i Haxhiut nuk kishte qenë ai i bashkëbiseduesit të Stanishiqit, por se gjatë takimit mes tyre ai kishte qëndruar në katin e poshtëm, së bashku me operativët e shërbimit sekret serb.
Një tjetër çështje që Surroi ngre në reagimin e tij është refuzimi i shtetësisë shqiptare për Baton Haxhiun në vitin 2005. Sipas tij, Ministria e Brendshme kishte refuzuar dhënien e pëlqimit për shtetësinë, bazuar në një dokument të klasifikuar si sekret, që, sipas interpretimit të tij, lidhej me marrëdhënie të papërshtatshme me një shërbim inteligjent jomiqësor ndaj Shqipërisë.
Surroi pretendon se ky refuzim u tejkalua përmes kompetencës diskrecionale të Presidentit, pas një fushate mediatike të zhvilluar nga TV Klan.
Në fund të reagimit, Surroi kundërshton edhe komentet e Haxhiut për familjen e tij nga ana e nënës, duke shprehur krenarinë për gjyshin Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët e tij, të cilët, sipas Surroit, kanë kontribuar në formësimin e shtetit të Kosovës gjatë shekullit XX.
Ai thekson se nuk e konsideron Baton Haxhiun përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij, por kërkon që gazetari të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta.




