Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat dhe incidentin e ndodhur në Dublin, ku gjatë vizitës së tij në Irlandë protestuesit qëlluan me vezë drejt automjetit me të cilin udhëtonte. Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama ironizoi protestuesit, duke treguar edhe një episod me policinë irlandeze.
Kreu i qeverisë u ndal te mënyra se si autoritetet irlandeze menaxhuan protestën, duke e krahasuar reagimin e policisë atje me situatat e krijuara gjatë protestave në Shqipëri. Ai theksoi se e drejta për të protestuar nuk duhet të kthehet në të drejtë për të bllokuar qarkullimin dhe për të penguar qytetarët e tjerë.
Rama kërkoi që gjobat për bllokimin e rrugëve të ekzekutohen dhe ligjshmëria të zbatohet deri në fund. Ai komentoi gjithashtu sulmet ndaj gazetarëve dhe publikimin e adresave të personave, duke i cilësuar këto sjellje të papranueshme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
“Pashe një parrullë në Dublin ku thuhej se nuk paguanin gjobë për protestën. Nuk e paguante se rrinte në trotuar, se po të bllokonte rrugën do ta merrte gjobën.
Erdhi edhe një vezë irlandeze drejt meje, ishte si më e errët dhe thashë mos kanë marrë ndonjë shqiponjë me vete. Polici i tha shqipes atje: ‘Mos lëviz’. Shqipja ngriu, ishte goxha burrë. Shkuan dy policë, e morën, e lidhën aty. Nuk lëvizi fare. ‘Mos lëviz’, i tha polici dhe kaloi rrugën. Kjo është dhuna policore, që të jemi të qartë.
Pra, as nuk mund të imagjinohet atje që të luash me kapelën e policit apo ta përdorësh kapelën e policit për të mbajtur vezë, apo t’i gjuash policit dhe të ankohesh pse polici kërkon kapelën mbrapsht.
Kthimi i ligjshmërisë duhet çuar deri në fund, gjobat duhen ekzekutuar deri në fund. E drejta për të zënë rrugën pa leje nga policia duhet të mos ekzistojë pa gjobën përkatëse për bllokimin e rrugës. Si mundet të marrim përsipër 50, 500, sa të jenë, të bllokojnë qarkullimin për gjithë të tjerët? Si mund të lejohet kjo? Në emër të çfarë të drejte?
S’të pëlqen qeveria? Je i nderuar ta thuash këtë në format që nuk pengojnë të tjerët.
Janë ca që mendojnë se Shqipëria bëhet më e mirë nëse i bashkohesh kësaj kuturisjeje, duke sulmuar gazetarët, duke publikuar adresat e njerëzve. Jemi këtu për t’i refuzuar dhe zmbrapsur, sepse traktati i integrimit të Shqipërisë në BE është për t’u bërë pjesë e një familjeje që nuk i imagjinon të tilla sjellje”, u shpreh Rama.
