Lara Colturi ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në zbritjen e parë të slalomit në Levi të Finlandës, duke u renditur në vendin e dytë dhe duke mbajtur të hapur garën për fitoren në Kupën e Botës në ski alpine.
Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë regjistroi kohën 56.10 sekonda, vetëm 0.36 sekonda më shumë se gjermania Emma Aicher, e cila kryeson klasifikimin me 55.74 sekonda. Në vendin e tretë renditet kroatja Zrinka Ljutic, me kohën 56.62 sekonda, 0.52 sekonda pas Colturi-t.
Diferencat e ngushta mes tri skiatorëve të para e bëjnë zbritjen e dytë vendimtare për përcaktimin e fitueses. Me këtë rezultat, Colturi është në një pozicion të favorshëm për të luftuar jo vetëm për podiumin, por edhe për vendin e parë.
Pista e Levi-t sjell kujtime të mira për skiatoren kuqezi. Një vit më parë, më 15 nëntor 2025, ajo përfundoi në vendin e dytë në të njëjtën garë, pas amerikanes Mikaela Shiffrin, e cila fitoi me 1.66 sekonda avantazh ndaj saj.
Këtë herë, Colturi synon të përsërisë suksesin, ndërsa diferenca e vogël nga kreu i jep mundësinë të pretendojë edhe fitoren. Gjithçka do të vendoset në zbritjen e dytë, ku një paraqitje pa gabime mund ta ngjisë skiatoren shqiptare në shkallën më të lartë të podiumit.
Prova përfundimtare e slalomit për femra zhvillohet këtë të shtunë, më 14 nëntor, në orën 13:00, me orën shqiptare. Gara transmetohet drejtpërdrejt në Digitalb.


