Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur t’u dorëzojë shoqërive veterinare 400 mijë doza vaksine kundër lisë së deleve dhe dhive. Vaksinat janë siguruar përmes një donacioni nga Bashkimi Evropian.
Fushata e vaksinimit në terren pritet të nisë të mërkurën dhe do të shtrihet në të gjitha rajonet e vendit. Në kuadër të saj synohet vaksinimi i 438.042 kafshëve, të organizuara në 3.417 tufa.
Të lidhura
None found
AUV ka bërë të ditur se analizat laboratorike të kryera në Fakultetin e Mjekësisë së Veterinarisë kanë vërtetuar cilësinë, fuqinë dhe përputhshmërinë mikrobiologjike të vaksinave, të cilat konsiderohen ndër më efektivet për mbrojtjen e bagëtive nga kjo sëmundje.
Sipas agjencisë, procesi do të zhvillohet në tri faza. Në fazën e tretë do të vaksinohen edhe kafshët që nuk kanë mundur të përfshihen në dy fazat e para për shkak të moshës, gjendjes shëndetësore ose vlerësimit të veterinerit.
Që nga fillimi i vitit janë evidentuar 115 vatra të sëmundjes. Si pasojë, 875 kafshë kanë ngordhur, ndërsa 9.359 të tjera janë asgjësuar.
Fushata do të përfshijë delet dhe dhitë klinikisht të shëndetshme, si edhe kategoritë e tjera të kafshëve që plotësojnë kriteret për vaksinim, në përputhje me udhëzimet për përdorimin e vaksinës dhe vlerësimin e veterinerit zyrtar.








