Mesfushori Dion Kacuri thotë se vendimin për të përfaqësuar Kosovën e mori duke dëgjuar ndjenjat e tij, pa qenë kjo një zgjedhje kundër Zvicrës.
Futbollisti ishte ndër emrat e rinj të Kosovës në shtator/tetor dhe debutoi në formacionin titullar në ndeshjen që përfundoi 0-0 ndaj Izraelit.
Të lidhura
None found
Në një intervistë të gjatë për podcastin “Story Times”, ku foli për rrugëtimin e tij në futboll, 22-vjeçari shpjegoi edhe vendimin për Kosovën.
“Mendoj se shumë njerëz e kanë interpretuar gabim. Nuk kam zgjedhur asnjëherë kundër Zvicrës dhe jam shumë mirënjohës. Kam qenë pjesë e të gjitha grupmoshave dhe e di çfarë përfaqëson kjo. Edhe ti e di, pasi ke fituar Kupën e Botës me Zvicrën: të veshësh fanellën e saj është nder, sepse përfaqëson vendin”, u shpreh ai.
Kacuri tregoi se kishte luajtur me përfaqësuesen U21 dhe se, kur ishte 22 vjeç, mori ftesë nga Franco Foda për t’u bashkuar me Kosovën në Ligën e Kombeve.
“Kur Franco Foda më tha: ‘Po të marr në Ligën e Kombeve me Kosovën, sepse mund të luash’, nuk vendosa aty për aty. M’u desh të mendoja dhe të flisja me të dashurën e familjen, duke peshuar çdo gjë”, tha mesfushori.
Vendimi, sipas tij, erdhi pas një periudhe reflektimi, ndërsa lidhjet familjare dhe vizitat e përvitshme në Kosovë patën rëndësi.
“Nuk ishte diçka e menjëhershme. Por, sa herë e mendoja ditë e natë, ndjenjat dhe zemra më tregonin të shkoja te Kosova. Kam shumë të afërm atje; prindërit kanë lindur dhe janë rritur atje. Edhe unë shkoj çdo vit në Kosovë, ndaj doja ta bëja këtë zgjedhje”, rrëfeu Kacuri.
Ai theksoi sërish se vendimi ishte në mbështetje të Kosovës, jo kundër Zvicrës, dhe tha se ka marrë shumë reagime në Instagram e komente të tjera për këtë çështje.
“Është e rëndësishme ta sqaroj, sepse shpesh jam keqkuptuar. Nuk zgjodha kundër Zvicrës, por për Kosovën”, shtoi ai.
Kacuri vlerësoi nivelin e skuadrës së Kosovës, duke përmendur paraqitjet ndaj Austrisë dhe në Ligën e Kombeve. Ai pranoi se ndeshja e dytë nuk ishte e mirë, por u shpreh i impresionuar nga cilësia e ekipit.
Mesfushori përmendi Fisnik Asllanin, që sezonin e kaluar ishte ndër lojtarët më të mirë në Bundesliga, si dhe Avdullahun e Hajdarin, të cilët luajnë në Bundesliga. Ai përmendi gjithashtu Vojvodën, që ka luajtur te Como dhe tani është pjesë e Udineses.
“Niveli është brutal dhe po ngrihet vazhdimisht, sepse gjithnjë e më shumë lojtarë po i bashkohen Kosovës. Për këtë arsye, do të jetë gjithnjë e më e vështirë që kundërshtarët të luajnë ndaj saj”, tha Kacuri.
Ai e cilësoi zgjedhjen si të duhur dhe përvojën me Kosovën si shumë të mirë, duke shpresuar se do të ketë më shumë minuta në fushë.
Kacuri mund të aktivizohet në ndeshjen e sotme të Kosovës kundër Izraelit.






