Komuna e Pejës ka bërë publike deklaratën e Qendrës për Punë Sociale lidhur me Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm, i hartuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor 2026.
Sipas QPS-së në Pejë, gjatë trajtimit të këtij rasti punonjësit socialë kanë vepruar brenda kompetencave të përcaktuara me ligj dhe kanë ndërmarrë një sërë hapash institucionalë e profesionalë.
Të lidhura
None found
Pas kërkesës së Stacionit Policor në Pejë, Qendra kishte aktivizuar punonjësin social që ishte në shërbim 24 orë. Në fazën e parë të ndërhyrjes, ai kishte zhvilluar bisedë me fëmijën dhe kishte shqyrtuar rrethanat e situatës familjare.
Procesi i menaxhimit të rastit kishte përfshirë gjithashtu vizita në terren, vlerësimin e kushteve socio-ekonomike, si dhe takime me prindërit dhe familjarët.
Për të krijuar një pasqyrë më të plotë mbi gjendjen e fëmijës, QPS-ja kishte kërkuar raporte nga “The Cambridge School” dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë. Këto dokumente ishin përdorur për vlerësimin e gjendjes së tij emocionale dhe psikologjike.
Qendra ka njoftuar se kishte marrë pjesë edhe në procedurat gjyqësore pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ku kishte paraqitur raporte profesionale dhe vlerësimet e Organit të Kujdestarisë.
Pas ngjarjes së 25 tetorit, institucioni thotë se kishte vepruar me urgjencë për të garantuar mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj fëmijës, në koordinim me Prokurorinë, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante. Në këtë kuadër, ishte siguruar edhe caktimi i kujdestarit ligjor.
Raporti i Inspektoratit ka evidentuar megjithatë disa mangësi në funksionimin e QPS-së, të cilat kërkojnë përmirësim.
Mes problematikave të konstatuara janë përmendur përdorimi dhe plotësimi i rregullt i formularëve standardë për menaxhimin e rasteve, respektimi i afateve për dorëzimin e raporteve dhe dokumenteve në gjykatë, si dhe forcimi i procedurave të monitorimit e mbikëqyrjes.
Inspektorati ka kërkuar po ashtu rritjen e kapaciteteve profesionale dhe njerëzore, si dhe përcaktimin më të qartë të kompetencave dhe përgjegjësive mes Qendrës për Punë Sociale dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.
QPS-ja ka deklaruar se rekomandimet e dala nga Inspektorati do të merren seriozisht dhe se do të ndërmerren masat e nevojshme për zbatimin e tyre.
Në përfundim, institucioni ka kërkuar që puna e tij të vlerësohet në mënyrë objektive dhe profesionale, duke u bazuar si në veprimet e dokumentuara, ashtu edhe në aspektet që kanë nevojë për përmirësim institucional.






