“Kali i Trojës” kundër plastikës/ Greenpeace proteston në samitin COP31 në Turqi me një instalacion gjigant me mbetje

14/11/2026 14:07

Instalacioni gjigant, i mbushur me mbetje plastike, është vendosur në Antalia të Turqisë, në kuadër të një proteste simbolike të organizuar nga Greenpeace International gjatë samitit të klimës COP31.

Vepra artistike, gjashtë metra e lartë, është krijuar në bashkëpunim me artistin danez Thomas Dambo dhe synon të tërheqë vëmendjen ndaj ndotjes nga plastika dhe ndikimit të industrisë petrokimike në mjedis.

Pamjet tregojnë sasi të mëdha mbetjesh plastike që derdhen nga struktura gjigante prej druri, ndërsa aktivistët e Greenpeace protestuan me pankarta pranë instalacionit.

“Me këtë vepër artistike, ajo që synojmë të tërheqim në vëmendje është se si plastika, Kali i Trojës i industrisë petrokimike, ka depërtuar në jetën tonë”, ka thënë Berk Butan, aktivisti i Greenpeace.

Organizatorët shpresojnë që ky aksion të shërbejë si një mesazh për liderët dhe politikëbërësit e mbledhur në COP31, duke kërkuar kufizimin e prodhimit të plastikës dhe forcimin e masave për menaxhimin e mbetjeve.

Protesta vjen në një moment të rëndësishëm për negociatat ndërkombëtare mbi klimën dhe përpjekjet për të frenuar ndotjen e shkaktuar nga industria e bazuar në lëndët djegëse fosile.

Top Channel