Nga golat te pistat e akullta, e gjithë Finlanda nën diktatin kuqezi! Lara Colturi mbretëresha e re e skive!
Shqipëria po i surprizon finlandezët në çdo sport! Pas futbollit, tashmë edhe në ski, me Lara Colturin që shkëlqeu në Levi, duke u renditur në vendin e dytë dhe duke marrë kryesimin e klasifikimit botëror.
Suksesi i skiatoreve kuqezi solli edhe një moment të këndshëm humori në Finlandë. Pas përfundimit të garës në Levi, presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, zhvilloi një bisedë miqësore me homologen finlandeze, Sirpa Korkatti.
Me humor dhe duke qeshur, presidentja finlandeze nuk e fshehu habinë për sukseset e njëpasnjëshme të Shqipërisë përballë vendit të saj. “Si ka mundësi që brenda një jave Shqipëria na mund dhe na kthehet në një makth? Po mirë, në futboll, por tani edhe në ski, ku nuk e kishim dëgjuar më parë se dinit të skijonit…”, ishte batuta e saj. Një shkëmbim fjalësh plot humor, por që pasqyron edhe surprizën që po shkakton Shqipëria në arenën ndërkombëtare.
Fillimisht futbolli, me suksesin ndaj Finlandës, ndërsa tani Lara Colturi, e cila me paraqitjen fantastike në Levi ka vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes së skive botërore. Duket se finlandezët do të duhet të bëjnë kujdes me kuqezinjtë, pavarësisht sportit!
Top Channel