Përfundon Asambleja e PS-së, Klosi: Hapet platforma “Këshilltari i bashkisë time”. Manastirliu drejtuesja politike e Tiranës, vijnë Demo dhe Koçiu

Politikë | 8 minuta më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje për vendimet dhe diskutimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila zgjati më shumë se katër orë.

Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes, Klosi tha se socialistët do të nisin përgatitjet për zgjedhjet vendore në çdo zonë urbane dhe rurale të vendit.

Ai bëri të ditur gjithashtu prezantimin e një platforme të re për qytetarët që dëshirojnë të bëhen pjesë e këshillave bashkiakë, përmes nismës “Këshilltari i Bashkisë Time”.

“Duhet të shtrihemi në çdo zonë urbane apo rurale për t’u përgatitur për fushatën elektorale. Prezantuam një platformë të re për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këshillat bashkiakë. Është një forum i hapur për secilin që do të jetë pjesë e saj dhe do të jetë pjesë e platformës ‘Këshilltari i Bashkisë Time’. Çdo qendër urbane apo zonë rurale duhet të diskutojë për punët e Shqipërisë”, u shpreh Klosi.

Sa i përket organizimit politik në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm konfirmoi ndryshime në drejtimin e qarkut. Sipas tij, Albana Koçiu dhe Ervin Demo do të jenë të deleguarit për Tiranën, ndërsa drejtimi politik do të vijojë të mbetet në përgjegjësi të Ogerta Manastirliut.

Klosi sqaroi se organizimi partiak do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht ndryshimit të numrit të bashkive, të cilat në zgjedhjet e ardhshme vendore do të jenë 46.

I pyetur nëse deputetja Elisa Spiropali vijon të jetë ende anëtare e Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, u përgjigj shkurt: “Po”.

Deklaratat e Klosit vijnë pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku në fokus ishte nisja e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve dhe organizimi i strukturave socialiste në të gjithë vendin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme