Një zjarrfikës ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur pasi një pjesë e një ndërtese të braktisur u shemb gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit në Zefiri, në periferi të Athinës. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për një efektiv të tretë që rezulton i zhdukur.
Ngjarja ndodhi paraditen e sotme në rrugën Katsantoni, në bashkinë e Fyli, në rajonin e Atikës. Sipas medias greke “ERT News”, zjarrfikësit po ndërhynin për të vënë nën kontroll flakët në ndërtesën e braktisur, kur një pjesë e strukturës së brendshme u shemb papritur, duke zënë poshtë disa prej efektivëve.
Njëri prej tyre u nxor nga rrënojat pa shenja jete dhe u transportua me ambulancën e shërbimit kombëtar të urgjencës EKAB drejt spitalit. Një tjetër zjarrfikës u nxor i plagosur, ndërsa ende nuk ka informacion për gjendjen e efektivit të tretë, për të cilin po vijojnë kërkimet.
Në operacionin e ndërhyrjes dhe kërkim-shpëtimit janë angazhuar 20 zjarrfikës me gjashtë automjete, përfshirë efektivë të Njësisë së Parë Speciale të Menaxhimit të Fatkeqësive (EMAK).
Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës mori njoftimin për zjarrin rreth orës 11:40. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe rrethanat që çuan në shembjen e një pjese të ndërtesës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, me ekipet e emergjencës të përqendruara në gjetjen e zjarrfikësit të zhdukur.


