Mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste është shoqëruar me përplasje të forta politike brenda mazhorancës. Në qendër të diskutimeve ka qenë Elisa Spiropali, ndaj së cilës kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar përjashtimin nga Partia Socialiste, pas qëndrimeve kritike të shprehura prej saj në javët e fundit.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama ka kërkuar që propozimi për përjashtimin e ish-ministres dhe ish-kryetares së Kuvendit të hidhej në votim në Asamble. Kërkesa ka sjellë një debat të drejtpërdrejtë mes kryeministrit dhe Spiropalit, e cila ka kundërshtuar qëndrimin e tij.

Sipas burimeve për gazetarin Ergys Gjençaj, gjatë përplasjes Rama i është drejtuar Spiropalit me fjalët: “Nuk mund t’i gjuash shtëpisë tënde me gurë”. Kjo deklaratë mësohet të jetë bërë në përgjigje të kritikave të saj ndaj drejtimit të Partisë Socialiste dhe kërkesave për demokratizimin e strukturave të saj, që kanë përfshirë edhe qëndrime kritike ndaj vetë Edi Ramës. Por Spiropali nuk ka qenë e vetmja figurë në shënjestrën e kryesocialistit. Rama ka kërkuar gjithashtu përjashtimin e Plarent Ndrecës, ish-deputet i PS-së dhe aktualisht avokat i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Megjithatë, pavarësisht kërkesës së kryeministrit, Asambleja Kombëtare nuk i ka kaluar për votim propozimet për përjashtimin e dy emrave. Për rrjedhojë, as Spiropali dhe as Ndreca nuk janë përjashtuar nga Partia Socialiste dhe vijojnë të jenë pjesë e saj.

Këtë e konfirmoi edhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili pas përfundimit të mbledhjes deklaroi se Elisa Spiropali është ende anëtare e Partisë Socialiste. Kërkesa e Ramës për përjashtimin e dy emrave është përballur gjithashtu me kundërshtime nga figura të rëndësishme të Partisë Socialiste. Fatmir Xhafaj mësohet të ketë shprehur rezerva ndaj përjashtimit të Spiropalit, duke propozuar një masë më të lehtë.

Edhe deputeti Erion Braçe mësohet të ketë kundërshtuar propozimin e kryesocialistit, duke u shprehur se “PS nuk është parti që përjashton anëtarët e saj”. Kështu, kërkesa e Edi Ramës për largimin e Spiropalit dhe Ndrecës nuk u shndërrua në një vendim të Asamblesë. Megjithatë, përplasja e drejtpërdrejtë dhe fjalët që kryeministri mësohet t’i ketë drejtuar ish-kryetares së Kuvendit tregojnë për tensionet që kanë shoqëruar diskutimet brenda partisë.

Në të njëjtën mbledhje është marrë edhe një vendim për drejtimin e Partisë Socialiste në Tiranë. Kryeqyteti do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe Ogerta Manastirliu do të ketë drejtimin politik të qarkut të Tiranës, dikur post i Veliajt. Përplasjet në Asamble dhe kundërshtimet ndaj propozimit të Ramës e kanë kthyer mbledhjen në një moment të rëndësishëm për raportet e brendshme në Partinë Socialiste, ndërsa mbetet për t’u parë nëse përplasja me Elisa Spiropalin do të ketë zhvillime të tjera në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: