Fati ynë në dorë të asambleistëve: pa shpresë dhe marrëzi
Kush e ka jetuar kohën e pleniumeve të Komitetit Qendror e njeh këtë skenë pa pasur nevojë ta shohë. Një sallë plot. Një njeri në foltore. Dhe një heshtje aq e rëndë sa dëgjohet edhe frymëmarrja e frikës. Të gjithë janë të pranishëm, por askush nuk duket se është i lirë.
Sot nuk jemi në vitet e komunizmit. Sot jemi në Lalëz. Në vendin e “Ngjalave” të socializmit europian. Vetëm 13 vite më parë Ilir Meta do të hante ngjalën e vërtetë nga mbreti. Ndërsa sot duket si një lloj vakie e vogël partie, ku demokracia ka hyrë si e ftuar, por nuk i është dhënë leje të flasë.
Rrugës për në gjirin e ngjaleve në Lalëz makina e mbretit u bë pis nga vezët e pulave të Manëzit. Sapo nisin punimet e Asamblesë së PS-së. Shfaqet kreu suprem Rama. Dhe fap mbyllet sinjali.
“Dua të ndaj disa fjalë vetëm me Asamblenë e familjes sonë politike.”
Një familje ku mbreti vetëm flet dhe fëmijët ulin kokën. Ku mbreti vendos, të tjerët miratojnë dhe kamerat fiken për të mos prishur intimitetin e familjes. Vlora e Gysit fik radarin. Rama i Gysit të fik sinjalin. Në këtë vend demokracia punon me komandë: ndizet kur duhet të dëgjohen duartrokitjet per mbretin dhe fiket kur ndonjëri mund të ketë bythë të bëjë ndonjë pyetje.
Nuk ngrihet askush. Sot kjo sallë i ngjante një qelie. Ministra, deputetë , bashkikakë dhe drejtorë të të gjitha llojeve nuk kishin nevojë për pranga, sepse secili duket se i ka marrë me vete nga shtëpia.
Një sallë me njerëz të marrë peng. Askush nuk pipëtin. Të gjithë ishin futur në arrest partie.
Askush nuk i thotë me zë të lartë një fjalë mbretit. Sepse në atë sallë zëri i lartë ka vetëm një pronar. Asambleistët kanë vetëm të drejtën të dëgjojnë, të tundin kokën dhe, në fund, të duartrokasin. Një demokraci me një mikrofon dhe shumë altoparlantë. A nuk ndodh kështu edhe tek partia e Berishës?!
Kjo është PS-ja sot. Jo partia e njerëzve, por partia e një njeriu. Jo socialiste, por sekrete. Një parti që nuk guxon ta transmetojë veten LIVE, sepse e di që pasqyra nuk gënjen. Dhe ndoshta ky është paradoksi më i madh: një forcë politike që kërkon të qeverisë një vend, por nuk ka besim t’i tregojë vendit se çfarë i thotë vetes.
Prandaj ka heshtje sepse Sinjali është këputur. Blackout. Sistemi është amortizuar dhe nuk ka teknik që ta rregullojë, sepse mbreti teknik është vetë problemi. Se mos mendoni se TV-të kanë fikur sinjalin. JO! Duhet të pasqyrojnë çdo pordhë të mbretit nga gjiri i “ngjaleve” në Lalëz.
E megjithatë, ironia nuk mbaron këtu. Ndërsa njëri fik kamerat në Lalëz, tjetri, Sali Berisha, kërkon mbështetjen e Erion Veliajt nga burgu për të rrëzuar Ramën. Një skenë që do ta kishte zili edhe teatri absurd.
Ja ku është fati ynë: mes një salle që hesht dhe një qelie që flet. Mes marrëzisë që qeveris dhe dëshpërimit që kundërshton. Mes një pushteti që nuk lejon të dëgjohet dhe një opozite që kërkon të dëgjohet përmes atyre që dje i kishte kundërshtarë. Një vend ku edhe shpresa ka mbetur pa sinjal dhe ku politika duket se ka hyrë në një garë se kush e ka më të fortë çelësin e qelisë. Edhe pse Mbreti është rënduar shumë fare, prapë fatin e kemi pa shpresë dhe plot marrëzi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



