Revista e njohur amerikane ‘Newsweek’ ngre alarmin për zgjerimin e rrjeteve kriminale shqiptare në tregtinë ndërkombëtare të drogës, duke paralajmëruar se pas konsolidimit të tyre në Britaninë e Madhe, ato po shtrijnë ndikimin edhe në tregun amerikan të kokainës.
Paralajmërimi vjen nga Neil Woods, ish-oficer policie, i cili për 14 vite ka punuar i infiltruar në organizatat kriminale të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Në një intervistë për ‘Newsweek’, ai deklaroi se grupet shqiptare kanë bërë përparime të konsiderueshme edhe në SHBA, duke ndërtuar rrjete me shtrirje ndërkombëtare.
“Tashmë, pjesa më e madhe e përpunimit dhe e logjistikës kryhet përmes Brazilit, dhe prej andej SHBA-ja është vetëm një nga destinacionet, mes shumë të tjerave. Tregu është zgjeruar vazhdimisht.”- u shpreh Woods.
Sipas Woods, bashkëpunimi mes organizatave kriminale në vende të ndryshme po ndikon në mënyrën se si funksionon tregu i kokainës. Si tregues të këtij zhvillimi, ai përmend uljen e çmimeve dhe rritjen e pastërtisë së kokainës në tregun amerikan.
Artikulli sjell në vëmendje edhe lidhjet mes rrjeteve shqiptare dhe organizatave kriminale braziliane, duke theksuar rolin e Brazilit në përpunimin dhe logjistikën e trafikut të kokainës drejt tregjeve të ndryshme, përfshirë SHBA-në.
‘Newsweek’ kujton se prania e grupeve shqiptare në Amerikë nuk është e re.
“Lidhja e rëndësishme që e përfshin Amerikën në këtë diskutim është ajo mes krimit të organizuar shqiptar dhe atij brazilian”- shtoi ish-oficeri.
Në vitin 2013, prokurorët federalë në Nju Jork njoftuan dënimin e 49 anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të një organizate ndërkombëtare kriminale shqiptare, e cila operonte në tre kontinente dhe shpërndante drogë në disa shtete amerikane, mes tyre Nju Jork, Kaliforni, Xhorxhia, Kolorado dhe Florida.






Komente
Komento