E shtunë, 14 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Studentët përshkallëzojnë protestën, bllokojnë kryqëzimet e Tiranës
Lajme

Studentët përshkallëzojnë protestën, bllokojnë kryqëzimet e Tiranës

Protesta studentore në Tiranë ka marrë një tjetër drejtim këtë të shtunë, pasi pjesëmarrësit kanë ndryshuar itinerarin e paralajmëruar dhe kanë marshuar në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, duke shkaktuar bllokime të qarkullimit.

Pas rreth një ore qëndrimi përpara Ministrisë së Arsimit, studentët, aktivistët dhe qytetarët e pranishëm janë nisur drejt zonës së Zogut të Zi, për të vijuar më pas në kryqëzimin e 21 Dhjetorit.

Gjatë marshimit janë shënuar edhe incidente. Disa protestues kanë djegur kosha mbeturinash dhe kanë dëmtuar reklama përgjatë rrugës, në shenjë revolte ndaj situatës politike në vend.

Më pas, marshimi ka vijuar në drejtim të Vasil Shantos dhe përgjatë bulevardit të Lanës, ndërsa destinacioni i radhës është godina e Kryeministrisë.

Gjatë lëvizjes nëpër kryeqytet, protestuesit kanë brohoritur slogane kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, mes tyre “Dorëheqje!”, “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Poshtë diktatura!” dhe “Rama në burg, Berisha në burg!”.

Përveç kërkesës për largimin e Ramës, studentët u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve që t’u bashkohen në marshim, duke kërkuar zgjerimin e protestës dhe mbështetje më të madhe për kauzën e tyre.

Protesta ka hyrë në ditën e saj të 168-të, ndërsa studentët këmbëngulin se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit. Marshimi vijon drejt Kryeministrisë, ku protestuesit pritet të qëndrojnë për të vijuar tubimin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.