A u përjashtuan Spiropali dhe Ndreca nga PS? Klosi sqaron: Nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka reaguar sërish lidhur me lajmet për Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën.
Sipas tij, ka pasur një keqkuptim nga ana e mediave lidhur me prononcimin e tij për Spiropalin dhe Ndrecën.
Në reagimin e tij, Klosi shpjegon se Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë pjesë e asnjë forumi të partisë, por thekson se ata nuk janë përjashtuar nga PS-ja, pasi në këtë forcë politike çdokush mund të regjistrohet online dhe të bëhet anëtar.
Reagimi:
Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.
Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti, ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë.




