
Protesta e thirrur nga studentët nisi fillimisht me bllokimin e rrugës së Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas protestuesit vijuan marshimin në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.
Gjatë marshimit u bllokua qarkullimi në zonën e Zogut të Zi, ndërsa disa protestues hoqën kangjellat e trotuareve, u vunë flakën disa koshave të mbeturinave dhe dëmtuan stacione autobusësh.
Pas marshimit nëpër kryeqytet, protestuesit janë vendosur para Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin dhe thirrjet e tyre.
Në terren janë angazhuar forca të shumta policie, të cilat përmes megafonit u kanë bërë thirrje protestuesve të lirojnë rrugët dhe të mos pengojnë qarkullimin e automjeteve.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës janë angazhuar rreth 700 efektivë policie. Gjatë tubimit, studentët kanë përcjellë edhe mesazhin “Ne nuk harrojmë”, ndërsa protesta vijon para Kryeministrisë..