Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të jenë më në asnjë nga forumet e PS-së. Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, Spiropali dhe Ndreca janë përjashtuar nga forumet larta të PS-së, ndërsa do të jenë 2 anëtarë të thjeshtë socialistë. Vendimmarrja u mor pa votim në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Socialiste e thirrur në Gjirin e Lalzit dhe që u mbyll pasditen e sotme.
E ndërsa Rama urdhëroi përjashtimin nga çdo funksion në në strukturat drejtuese të Partinë Socialiste, - përfshirë Kryesia, Asambleja Kombëtare dhe funksioni i drejtueses politike në njësitë e Tiranës, - pa i hedhur fare në votim, nxorri Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi për të komunikuar 'heqjen e gradave' përmes një postimi në facebook.
Gjatë punimeve të Asamblesë kërkesa e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, avokatit të Erion Veliajt nga Partia Socialiste shkaktoi kundërshti. Tre prej figurave të njohura socialiste, Pandeli Majko, Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj, shprehën rezerva ndaj kësaj nisme, duke kundërshtuar largimin e dy anëtarëve nga partia.
Vetë Klosi pranoi se tre socialistë kanë kundërshtuar përjashtimin por pa dhënë emra ndërsa përmes një reagimi në facebook shpjegoi se tashmë janë përjashtuar nga forumet.
Po si e shpjegon përjashtimin Klosi?
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.
Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë.
Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë.
Më herët në mbledhjen e Asamblesë së PS-së në Gjirin e Lalzit, Rama e largoi Erion Veliaj nga drejtimi politik i Tiranës, me argumentin se ndodhet në paraburgim. Këtë përgjegjësi ua besoi ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe zv.kryeministres Albana Koçiu. Ogerta Manastirliu nuk do të jetë më në drejtimin politik të bashkisë së kryeqytetit, ndërsa Taulant Balla mbetet drejtues politik i qarkut të Tiranës.
© SYRI.net