“Miq për kokë”, komedia që sjell të qeshura – Tre aktorë në skenën e Bylisit
Për tri mbrëmje radhazi, komedia “Miq për kokë”, me regji të Astjano Shehut, solli humor në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier, duke u pritur me duartrokitje nga publiku.
Tre aktorët Klajdi Marku, Miola Sitaj dhe Anri Celibashi interpretuan veprën e dramaturgut francez Eugène Labiche, të përkthyer nga Ardita Zela, e cila, ndonëse e shkruar më shumë se dy shekuj më parë, vijon të ruajë aktualitetin e saj.
Regjisori Astjano Shehu u shpreh: “Ne tashmë jemi miq me trupën e Teatrit të Bylisit. Kemi ndërtuar një atmosferë goxha të mirë këtu dhe kemi kaluar një periudhë provash shumë të këndshme për të gjithë ne.”
Ngjarja sillet rreth një avokati që shpik një mik imagjinar për të fituar liri nga martesa, por detyrohet të gjejë dikë që ta luajë këtë rol. Kjo sjell një sërë keqkuptimesh dhe situatash komike, ku spikat edhe personazhi i Jorgaqit, i interpretuar nga Anri Celibashi.
Aktorja Miola Sitaj u shpreh: “Emocionet janë gjithmonë të veçanta nga njëra shfaqje në tjetrën, gjithmonë ndryshojnë. Është si puna e fëmijës që lind. Çdo shfaqje është një fëmijë për ne. E ku ka më bukur se një premierë për publikun fierak, artdashësit që na kanë pritur shumë mirë dhe që na mbajnë gjallë.”
Për Klajdi Markun, ky rol përfaqëson një tjetër sfidë dhe përvojë në skenën teatrore.
Klajdi Marku u shpreh “Për mua është një rol ndryshe nga të gjithë rolet që kam luajtur. Është nga rastet e rralla që më duket vetja si në ëndërr, për shkak të pasionit që të jep kjo vepër.”
Për rreth një orë, aktorët e mbajtën publikun të përfshirë me interpretimin e tyre, ndërsa komedia pritet të vijojë me një tur shfaqjesh edhe në qytete të tjera të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




