“Ndihemi si në shtëpi”, të huajt rrëfejnë jetën e re në Shqipëri, Eclesio Ramos: Brazili iku, tani jam shqiptar
Tirana është kthyer në shtëpi për shumë të huaj, të cilët për arsye të ndryshme kanë zgjedhur të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë familjen në Shqipëri. Katër histori të veçanta, nga vende dhe kultura të ndryshme, u bënë pjesë e emisionit “Takohemi n’Vizion”, me moderatore Fjodora Fjora. Një prej tyre është ajo e muzikantit brazilian Eclesio Ramos de Souza, i cili prej 14 vitesh jeton në Tiranë. I pyetur se si përfundoi nga Brazili në kryeqytetin shqiptar, ai u përgjigj me humor: “Tani unë jam shqiptar, Brazili iku!”.
Në rrëfimin e tij, Eclesio tregoi se përpara se të vinte në Shqipëri kishte jetuar për shtatë vite në Milano të Italisë, ku u njoh me bashkëshorten e tij shqiptare, e cila është profesoreshë e kitarës klasike. Fillimisht erdhi në Shqipëri për të vizituar vendin, por energjia dhe atmosfera e Tiranës e bënë të qëndronte. “Milano është qytet natën, me diskoteka, ndërsa Shqipëria ka një energji më afër Brazilit: me plazh, diell dhe mot të ngrohtë. Gjithashtu, shqiptarët ngjajnë shumë me brazilianët në karakter”, tregoi muzikanti, i cili sot ka krijuar familjen e tij në Shqipëri dhe interpreton edhe në gjuhën shqipe.
Pjesë e bisedës ishin edhe Sara Pejman, me origjinë indiane dhe iraniane, e rritur në Angli, e cila prej rreth tre vitesh jeton në Shqipëri. Ajo tregoi se dashuria për muzikën shqiptare dhe dëshira për të komunikuar me njerëzit e kanë shtyrë të mësojë gjuhën. “Është shumë e rëndësishme të flas shqip sepse dua të shprehem vetë. Është e vështirë të tregosh personalitetin tënd nëse nuk flet gjuhën e vendit ku jeton”, u shpreh Sara. Gjatë emisionit, ajo interpretoi me kitarë këngën “O moj e bukur Shqipëri”, duke marrë komplimente nga moderatorja dhe të ftuarit për mënyrën se si e këndon shqipen.
Një tjetër histori ishte ajo e Yevhenija Myrko, e cila është larguar nga Ukraina dhe prej dy vitesh e dy muajsh jeton në Tiranë me dy djemtë e saj. Ajo tregoi se lufta e bëri të vështirë vazhdimin e jetës në vendlindje, ndërsa Shqipëria i ofroi siguri dhe mikpritje. “Më pëlqen Shqipëria, ndihem si në shtëpi dhe shumë e sigurt”, tha ajo. Yevhenija ka hapur gjithashtu një studio qeramike në Tiranë, ku punon së bashku me artistë shqiptarë. Ndërsa Merve Aknoglu, me origjinë nga Bursa e Turqisë, tregoi se jeton prej 11 vitesh në Shqipëri, fillimisht në Kukës dhe më pas në Tiranë, ku ka ndërtuar jetën familjare me bashkëshortin dhe dy fëmijët. “Aty ku jeton me familjen, mund të jetosh kudo”, u shpreh ajo.
Katër të ftuarit ndanë përvojat e tyre për përshtatjen me një vend të ri, sfidat e gjuhës, familjen dhe mënyrën se si Shqipëria është kthyer në shtëpinë e tyre. Përmes muzikës, artit dhe historive personale, emisioni “Takohemi n’Vizion” solli një këndvështrim mbi Tiranën si një qytet që po mirëpret gjithnjë e më shumë njerëz nga kultura të ndryshme, të cilët kanë zgjedhur ta bëjnë Shqipërinë pjesë të jetës së tyre.
/vizionplus.tv




