Toksikologia ngre alarmin në “Urban Gen”: Kam raste kur fëmijët nisin të provojnë drogën që në moshën 9-vjeçare

14/11/2026 18:08

Përdorimi i lëndëve narkotike nga të miturit po ngre shqetësime serioze, ndërsa mosha e parë e eksperimentimit me drogën mund të jetë shumë më e ulët nga sa mendohet.

Në emisionin “Urban Gen”, një projekt i Fondacionit Dritan Hoxha toksikologia Suela Xhufi ka ngritur alarmin për ekspozimin e fëmijëve ndaj substancave narkotike që në moshë të hershme si edhe rasteve të shumta në stade të rënda.

“Kam raste me fëmijë që nisin të provojnë lëndë narkotike që në moshën 9-vjeçare”, u shpreh toksikologia, duke sjellë në vëmendje një realitet shqetësues që kërkon reagimin e familjes, shkollës dhe institucioneve.

Deklarata e saj u bë pjesë e debatit në “Urban Gen”, ku të rinjtë diskutuan hapur për përdorimin e drogës, presionin e shoqërisë, kuriozitetin dhe rrezikun që mund të fshihet pas eksperimentimit me substanca të ndaluara.

Përmes këtij debati, “Urban Gen” synon të thyejë heshtjen dhe tabutë rreth problematikave që prekin gjeneratën e re, duke u dhënë të rinjve hapësirën të pyesin, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë përgjigje.

Droga nuk është thjesht një statistikë, pas çdo rasti mund të jetë një fëmijë, një familje dhe një e ardhme e rrezikuar.

 

Top Channel