Nga Ben Andoni
Pa nisur ende Asambleja e PS-së dhe, ku askush nuk di se çfarë do bëhet dhe çfarë do kumtohet nga kryetari Edi Rama, veç atyre pak elementeve që deklarohen zyrtarisht, në media, shumë personazhe dinë me imtësi se çfarë do bëhet. Madje, dhe ndryshimet në qeveri apo mesazhet që Rama do të japë! Siguria e tyre të mahnit, kurse emocioni si i përcjellin të bën të ndihesh i vogël që në Shqipëri gjenden kaq njerëz të informuar! Kolegë të tjerë e arrestuan Ramën, pak muaj më parë, sapo do të vendoste këmbën në SHBA! Nga maxhoranca, ish-miq të Veliajt tashmë në krye të PS-së, thonë publikisht se kryebashkiaku nuk duhet të fshihet pas simboleve, “grushtit” apo “trëndafilit” të Partisë Socialiste. Ky ishte vlerësimi i shefit të Grupit Parlamentar të PS-së Balla që dikur nuk reshte me fjalët më të mëdha për të. Blendi Klosi, Sekretari i Përgjithshëm, i PS-së, emocionin e mbërtheu në aspekt logjik, kur tha se: kërkesa e Erion Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë Kombëtare të 14 nëntorit lidhet thjesht me organet e drejtësisë dhe jo me strukturat e partisë. Pa e trajtuar emocionin e të gjithë rasteve përballë logjikës, për shumicën është e qartë se emocionalisht: kryetari Rama do me çdo kusht Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet e 2027. Bashkia me masën e madhe të punonjësve që ka, interesat që janë të lidhur me të, buxhetet shërben shumë. Jo vetëm për kryeqytetin. Të tjerë shtojnë po me bindje emocionale se: ai që fiton Tiranën në të ardhmen do jetë kryeministër. Deri diku, faktet shkojnë, me shembullin e vetë z. Rama. Grupe të tjera janë të bindur se kjo që po ndodh me Rama-Veliaj është një show i madh që të tregojë se demokracia në Partinë Socialiste është e arrirë dhe mund të ketë dhe kërkesa të tilla, si e Veliajt në paraburgim që kërkon të jetë në Asamblenë e PS-së. Logjika tashmë të bën të frenohesh pak me ftohtësinë e saj. Veçse, në këtë rast të fundit, mes primatëve të PS-së, gjuha të trand, pasi aty s’ka më logjikë por shumë emocion. Të mendosh përmendet familja, kërcënimi etj. Ajo që ndodhi para disa ditësh e ushqen logjikisht këtë, pasi ne kemi vetëm faktin e vizitës së ministrit Gogu, kurse asaj që shkruan Veliaj, i mungon pjesë tjetër e fabulës, se çfarë iu tha, pasi këtë pretendim, ministri i Drejtësisë e hedh poshtë! Po pse në atë orë të vonë, u bë kjo vizitë, thotë ftohtë logjika?! Duket se kryetari në detyrë i Tiranës ka vetëm fjalën, por asesi më fuqinë dhe ndihmën e ftohtësisë së logjikës.
Jo larg këtij debati, në hapësirën e gjeografisë politike, opozita mëton se ata kanë ngritur protestën e fundit që u bë lajm ndërkombëtar! Në fakt, “Flamingot” gjallojnë prej muajsh dhe PD ishte pothuaj inekzistente në të, sepse ishte realisht e padëshiruar. Po aq sa edhe Socialistët. Këta të fundit, tashmë të thonë se kanë gjetur gjuhën, ndërkohë që në masë protestuesit e mohojnë. Më tej. Po të mos ishte PD, nuk do ishte ky intensitet, mëtojnë njerëzit e opozitës, përmes gojës së z. Berisha dhe bashkëpunëtorëve të tij. Vetë protestuesit kërkojnë gjëra të mëdha dhe emocioni po i udhëheq në një kauzë që nuk po materializohet dot. Rama, në panele ndërkombëtare, mëton për ndikim të Iranit dhe fuqive të huaja, por nuk arsyeton logjikisht se shumë nga kërkesat e protestuesve janë pasojë e drejtimit problematik të tij. Edhe vetë Protesta është agresive, kur i kërkon rrjedhime logjike. Pse e prishët dhe e plaçkitët pronën private?!- janë pyetur shumë syresh. Kaq mjafton që emocioni të mbysë gjithçka. Një pjesë e patetikëve dhe ngroha-duarsve ta plasin në fytyrë se: kështu u bë edhe në Paris dhe në vende të tjera të Perëndimit. Por, nëse u kujton sesi do të gjykonin po të ishin ata në vend të të dëmtuarve, s’kanë përgjigje. Logjika i çarmatos sepse është cinike. Emocioni është për publikun dhe përfitimin e menjëhershëm.
Parlamenti ynë, ushqyesi i kësaj gjendje, është vetëm emocion dhe shfrim patetik deri në delir. Akuzat që drejtojnë mes vete të trandin, por vota e përbashkët për rrogat të bën të kuptosh se logjika (në momentin e duhur), e mbyt emocionin dhe patetizmat. Ata bëhen sakaq të arsyeshëm. Njësoj kur shkojnë në delegacionet në vendet e huaja, ku pozojnë veçmas fytyrëngrysur, por në kohën e lirë qajnë hallet në pub-e dhe restorante të mira. Nuk po shtojmë për ato që gjen media, kur përdorin logjikën për biznes!
Pse emocioni e mbyt jetën e vendit tonë? Përgjigja është e thjeshtë: Logjika është e ftohtë dhe e pamëshirë! Ne, shqiptarët nuk jemi të ftohtë dhe kur logjika ta thotë hapur: Jo kjo është gabim. Kurse emocioni, nga ana tjetër, të bashkon me protagonizmin. Kjo e fundit i lidh shumë nga politikanët dhe VIP-at me klikimet dhe vizualitetin, që përkthehet në përfitime. Jo më kot, në protestë, kryetarët e partive të vogla i kushtuan aq shumë kujdes reels-ave. Kryetari i Mundësisë shkonte deri aty saqë improvizonte mizanskena që rezultonin me ngazëllimin se po e kërkonin të bëhej kryeministër. Me pak fjalë, emocioni lidhet me Unin dhe jo të vërtetën që është e thartë në Shqipëri dhe që tashmë edhe protesta po e ndjen në kurriz me përçarjen, indiferencën e njerëzve dhe gabimet e deritanishme me shkak ose pa shkak të disa protagonistëve fals.
Logjika, nga ana tjetër, të kërkon të mos jesh me identitet. Pra, ai që është me PS-në të ketë kurajën t’i thotë Ramës se: vota që të kam dhënë në mandatin e fundit po më kthehet në zhgënjim dhe nuk e meriton. Nga ana tjetër, Ai\ajo që ka dhënë votën për Berishën, të ketë kurajën e të thotë: Jo nuk mund të vazhdohet më kështu. Ju nuk e sillni dot partinë time në pushtet. Por militantët e PS-së më mirë përmendin ende Berishën për problemet (!!!) sesa të thonë që Rama është gabim. Ca më shumë njerëzit afër tij, shndërrimin e tyre e pamë në fund kur u votua për Reformën Territoriale. Te PD-ja situata është edhe më e frikshme, sepse të gjithë proceset lidhen me Berishën. Po erdhi sërish Berisha në krye, unë jap dorëheqjen, tha dikur me logjikë Bardhi, por sot kryeson grupin parlament të PD, nën Berishën. Emocioni që tregon në parlament e mbyt shpesh logjikën që njerëzit presin prej tij. Nuk ka guxim askush të thotë nga PS-ja dhe PD-ja gabimet e veta, pasi më lehtë mashtron me faktin sesa me identitetin lëbyrës që kanë ngritur. Me pak fjalë, tek ne nuk bëhet debat për faktet, por të gjithë debatojnë për të shpalosur dhe mbrojtur veten dhe të marrin protagonizmin!
Logjika është e ftohtë dhe e ngadaltë, kur emocioni është i sakaqtë. Ndaj menjëherë Rama dhe Berisha etiketohen për çdo gjë si e keqja e vendit, pa marrë parasysh kushtet sesi marrin vendimet, konjukturat dhe pse detyrohen të bëjnë gjëra të tilla. Po ashtu, të jesh logjik të duhen pak më shumë minuta, sesa të bësh batutat e emocionit, që duhen pak sekonda dhe që Rama dhe Berisha janë mjeshtra të padiskutueshëm. Me gjithë argumentin tonë, ka një gjë që nuk pëlqehet tek ne. Jo më kot. Nuk ka njeri më të vetmuar sesa njeriu i logjikës. E vërteta është se të gjithë e dinë forcën e logjikës por askush nuk e do koston sociale të saj. Logjika nuk të jep sensin pse ka kuptim dhe çfarë është, por ajo thjesht shqipton se kjo u bë është kështu apo ashtu…, kurse emocioni shpreh gjëra që një i ndjerë (nëse do dëgjonte në pasjetë) as do i kishte marrë me mënd për vlerat e veta dhe të thëna, madje, nga njerëz që nuk e kanë dashur kurrë. Ndaj sot, Rama thotë se ne po fusim Shqipërinë në Evropë dhe është proces i bërë vetëm nga PS-ja; kurse Berisha i përgjigjet, se futi Shqipërinë në NATO, kurse Ata (Lexo Socialistët) vetëm po e vjedhin Shqipërinë. Ne, shqiptarët dhe sidomos politikanët tanë e dimë mirë forcën e Logjikës, por e kemi të vështirë ta pranojmë sepse ajo të tregon ashtu si je para pasqyrës. Kurse emocioni të nxjerr gjithnjë të nderuar para turmave që i kënaq zhurma dhe emocioni dhe manipulohen jo pak herë me vetëdije. Për fat të keq, logjika ka dështuar prej kohësh para emocionit tek ne, por shkrimtari irlandez Xhonatan Swift, babai i “Guliverit”, disa shekuj më parë, e thoshte më këndshëm, më qartë dhe me më shumë cinizëm: “Është e kotë të përpiqesh ta bindësh dikë, përmes arsyes, të heqë dorë nga diçka për të cilën ai nuk është bindur kurrë përmes arsyes.” (Homo Albanicus)










