Georges Mikautadze ka shprehur sërish dëshirën për të luajtur te Barcelona, duke zbuluar se gjiganti katalunas ka qenë skuadra e tij e preferuar që nga fëmijëria.

Sulmuesi 26-vjeçar i Villarrealit, në një intervistë për DAZN, ka pranuar se ëndërron të marrë një mundësi për të luajtur në Camp Nou dhe se po punon vazhdimisht për ta arritur këtë objektiv.


Deklaratat e sulmuesit gjeorgjian vijnë pas interesimit që Barcelona kishte shfaqur për të gjatë afatit kalimtar të verës, kur drejtori sportiv Deco e kishte përfshirë emrin e tij në listën e alternativave për repartin ofensiv.

Mikautadze nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin për Barcelonën. Ai ka treguar se e përcjell klubin katalunas që nga fëmijëria dhe vazhdon t'i shikojë ndeshjet e tij.

Sulmuesi ka pranuar se interesimi i Barcelonës gjatë verës ishte një motivim shtesë për të vazhduar punën dhe për të dëshmuar cilësitë e tij në fushë.

Gjeorgjiani beson se ka potencialin për t'u shndërruar në një prej sulmuesve të spikatur të La Ligës. Synimi i tij është të ruajë vazhdimësinë në paraqitje dhe të fitojë mundësinë për t'iu bashkuar një skuadre që lufton për trofe.

Kjo nuk është hera e parë që Mikautadze flet për admirimin ndaj Barcelonës. Disa ditë më parë, në një intervistë për gazetën franceze L'Equipe, ai kishte përmendur veçanërisht gjeneratën e Xavit, Andres Iniestas, Sergio Busquetsit, si dhe treshen sulmuese Lionel Messi, Luis Suarez dhe Neymar.

Emri i tij ishte në listën e alternativave të Decos gjatë afatit kalimtar të verës, kur Barcelona kërkonte përforcime në sulm. Megjithatë, klubi katalunas në fund kishte zgjedhur Gabriel Jesusin.

Mikautadze iu bashkua Villarrealit në shtator të vitit 2025, duke ardhur nga Lyoni. Në sezonin e tij të parë në La Liga regjistroi 15 gola dhe gjashtë asistime, por këtë edicion roli i tij në skuadër ka qenë më i vogël./Telegrafi/