140 mijë të diagnostikuar me diabet në Maqedoninë e Veriut, 40 mijë të tjerë jetojnë me sëmundjen pa e ditur

Rreth 142 mijë persona në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruar me diabet, ndërsa rreth 40 mijë të tjerë mund të jetojnë me këtë sëmundje pa e ditur. Në Ditën Botërore të Diabetit, mjekët bëjnë thirrje për parandalim dhe diagnostikim të hershëm, ndërsa pacientët kërkojnë qasje më të madhe në sensorë për matjen e glukozës dhe pompa të insulinës.
Sipas të dhënave, mbi 95 për qind e rasteve në vend janë me diabet të tipit 2.
“Nëse para pesë vitesh flisnim se çdo person i 11-të kishte diabet, sot të dhënat tregojnë se çdo person i 9-të në botë ka diabet. Rreth 593 milionë njerëz në botë jetojnë me diabet, por parashikimet janë edhe më shqetësuese: deri në vitin 2050, kjo shifër pritet të kalojë 850 milionë. Duhet të fokusohemi te faktorët e rrezikut, pra te faktorët që kontribuojnë në shfaqjen e diabetit, kryesisht të tipit 2, në mënyrë që t’i identifikojmë dhe trajtojmë në kohë, me qëllim parandalimin e gjendjes paradiabetike dhe më pas të shfaqjes së diabetit të tipit 2. Nëse në vendin tonë kemi rreth 135 mijë persona me diabet, atëherë afërsisht 40 mijë persona kanë diabet, por nuk janë të diagnostikuar, tha Irfan Ameti, drejtor I Klinikës së Endokrinologjisë.
Një nga kërkesat kryesore të pacientëve me diabet është zgjerimi i mbulimit me sensorë për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës. Aktualisht, sensorë janë siguruar për rreth 800 persona me diabet të tipit 1, ndërsa synimi i shoqatave është që brenda dy ose tre viteve të arrihet mbulim prej 80 për qind për pacientët që kanë indikacion mjekësor edhe për sensorë, edhe për pompa të insulinës.
“Sensorë ose sisteme për monitorimin e glikemisë për të gjithë personat me diabet të tipit 1 në Maqedoni. Kjo është kërkesa jonë prej shumë vitesh. Deri më sot kemi siguruar sensorë vetëm për 800 persona me diabet të tipit 1, ku të gjithë të rinjtë dhe fëmijët deri në moshën 25-vjeçare janë të mbuluar. Nevojitet që sa më shpejt të vazhdojmë me zgjerimin e këtij numri, duke e rritur gradualisht mbulimin, me synimin që brenda dy ose tre viteve të arrijmë në rreth 80 për qind të mbulimit”, theksoi Dimçe Velev, Kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, thekson rëndësinë e ndryshimit të mënyrës së jetesës, aktivitetit fizik dhe ushqyerjes së shëndetshme. Klekovski theksoi shqetësimin për kontrollet parandaluese, duke thënë se një pjesë e rezultateve me glikemi të rritur nuk evidentohen në sistemet shëndetësore, pasi ende punohet me dokumentacion në letër.
“Vetëm aktiviteti fizik, edhe pa elementet e tjera, mund të kontribuojë në uljen e rasteve të diabetit të tipit 2 me 5 %. Gjatë vitit 2025 kemi realizuar pothuajse 200 mijë kontrolle sistematike periodike, gjatë të cilave matet edhe niveli i glukozës në gjak. Por, a e dini se çfarë ndodh me rezultatet e këtyre kontrolleve, skush nuk i lexon ato. Supozoj se kemi të paktën 10 për qind të rezultateve me nivel të rritur të glukozës në gjak, të cilat nuk regjistrohen askund në sistemet tona, sepse ende punojmë me formularë në letër”, vlerëson Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.
Në Ditën Botërore të Diabetit u rekomandua që qytetarët të mos presin shfaqjen e simptomave për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjak. Sipas mjekëve, diagnostikimi i hershëm dhe qasja në trajtim mbeten vendimtare për parandalimin e komplikimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.




































