Maran dhe Asllani në prag të sfidës me Bjellorusinë: Nuk bëjmë llogari, objektivi është fitorja

14 Nëntor 2026 | 19:48

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, dhe mesfushori Kristjan Asllani kanë dalë në konferencën zyrtare për media në stadiumin “Illovszky Rudolf Stadion”, në prag të ndeshjes së fundit të Grupit C1 në UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, e cila do të luhet nesër në orën 18:00.
Trajneri Rolando Maran e vlerësoi Bjellorusinë si një kundërshtar të fortë, duke theksuar se Kombëtarja është e përgatitur dhe e vendosur për të dhënë maksimumin. Tekniku kuqezi u shpreh se skuadra nuk do të bëjë llogari, por do të fokusohet te paraqitja e saj dhe arritja e objektivit final. Sa i përket formacionit, Maran bëri me dije se vendimi përfundimtar do të merret pas vlerësimit të gjendjes fizike të lojtarëve.
I pyetur nëse do të ndihet mungesa e Ramadanit dhe si është gjendja e Muçit, Maran u shpreh se nuk është i shqetësuar, pasi ka lojtarë të tjerë në dispozicion.
“Jo, nuk jam i shqetësuar, sepse kam në dispozicion lojtarë të tjerë. Jemi te Kombëtarja dhe të gjithë lojtarët që kemi në skuadër janë në nivelin e duhur për të bërë mirë, ndaj nuk ka asnjë arsye për shqetësim.
Përkundrazi, kjo do të jetë një mundësi që lojtarë të tjerë të tregojnë vlerat e tyre dhe të jenë të dobishëm për ekipin. Të gjithë duan të japin kontributin e tyre dhe të bëjnë diçka për këtë fanellë, ndaj do të jetë një mundësi e mirë për ta.
Sa i përket Ernestit, ai nuk është stërvitur këtë mëngjes. Do ta vlerësojmë nesër dhe do të shohim se si do të ndihet”, tha Maran.
Sa i përket kundërshtarit, trajneri kuqezi theksoi se Bjellorusia është skuadra ndaj së cilës Shqipëria ka hasur më shumë vështirësi në këtë grup, duke sjellë në vëmendje edhe rezultatet e saj të fundit.
“Përballemi me një kundërshtar që ndoshta është skuadra ndaj së cilës kemi hasur më shumë vështirësi në këtë grup. Në fakt, në 12 ndeshjet e fundit, Bjellorusia ka humbur vetëm një herë dhe kjo humbje ka qenë pikërisht ndaj nesh.
Kjo tregon se do të përballemi me një skuadër që po kalon një moment të mirë dhe se do të jetë një sfidë e vështirë për të marrë kontrollin e lojës dhe për ta zhvilluar atë sipas mënyrës që duam ne.
Megjithatë, ne jemi gati dhe të vendosur. Kemi ndërtuar një identitet të rëndësishëm si skuadër dhe kemi lojtarë që po përpiqen të japin maksimumin për të arritur rezultatin që na nevojitet. Do të zbresim në fushë me këto cilësi, që janë pikat tona të forta dhe që duhet t’i shfaqim në maksimum kur luajmë me këtë fanellë, për të arritur objektivin tonë”, u shpreh trajneri.
I pyetur nëse do të ishte i kënaqur edhe me një barazim, duke qenë se ky rezultat mund t’i shërbejë Shqipërisë për të arritur vendin e parë, Maran theksoi se skuadra nuk do të hyjë në fushë për të bërë llogari.
“Jo, absolutisht jo. Ne jemi një skuadër që nuk bën llogari. Nuk do të shihni kurrë një ekip që zbret në fushë duke kursyer energjitë apo duke bërë llogari. Ne jemi një skuadër që duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje.
Këta janë lojtarë që, nëse kanë këtë mentalitet, arrijnë të japin edhe më shumë nga sa pritet prej tyre. Ne përpiqemi gjithmonë të tejkalojmë veten, të përmirësohemi çdo ditë dhe në çdo ndeshje. Ky është objektivi ynë: të jemi më të mirë se në ndeshjen e fundit, për të arritur rezultatin që kërkojmë, pa menduar për asgjë tjetër dhe pa bërë absolutisht asnjë llogari”, deklaroi Maran.
Trajneri zbuloi gjithashtu se çështja e barazimit dhe e llogaritjeve për vendin e parë nuk është diskutuar brenda skuadrës.
“Unë jam mësuar të them gjithmonë të vërtetën. Në fakt, kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë brenda dhomës së zhveshjes apo në mbledhjet tona. Ne kemi menduar vetëm të japim maksimumin dhe të bëjmë gjithçka për të zhvilluar paraqitjen më të mirë të mundshme. Ne jemi të përqendruar te paraqitja jonë dhe te dhënia e maksimumit për këtë fanellë”, u shpreh ai.
Sa i përket kohës së rikuperimit mes dy ndeshjeve, Maran shpjegoi se përgatitja është përqendruar më shumë te analiza dhe te situatat taktike që mund të rezultojnë vendimtare gjatë sfidës.
“Është e qartë që në këto raste punohet më shumë përmes analizës sesa përmes stërvitjes në fushë. Sot, gjatë seancës stërvitore, jemi përpjekur të shohim disa situata, por më shumë në aspektin teorik dhe shpjegues. Besoj se kjo vlen si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin.
Në ndeshje të tilla duhet të përqendrohemi te disa situata të caktuara që mund të jenë vendimtare dhe që mund të na ndihmojnë gjatë lojës. Bëhet fjalë për situata që i kemi analizuar dhe evidentuar në ndeshjet e mëparshme, si në tonat, ashtu edhe në ato të Bjellorusisë”, tha trajneri.
Në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë, Maran bëri me dije se ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar, pasi dëshiron të vlerësojë gjendjen fizike të lojtarëve.
“Jo, kur luan ndeshje kaq të afërta me njëra-tjetrën, është më e vështirë të kesh që në fillim një formacion të përcaktuar me siguri. Duhet të shoh fillimisht gjendjen e lojtarëve nesër në mëngjes dhe më pas të marr vendimin.
Sigurisht që kam disa ide në mendje, por dua të shoh se si do të reagojnë lojtarët gjatë aktivizimit të mëngjesit të nesërm dhe çfarë përgjigjesh do të marr nga gjendja e tyre fizike. Pastaj do të bëj zgjedhjen përfundimtare”, deklaroi Maran.
Nga ana tjetër, mesfushori Kristjan Asllani u shpreh se Kombëtarja është në një moment shumë të mirë dhe e përgatitur për sfidën ndaj Bjellorusisë, duke theksuar se objektivi i vetëm është fitorja dhe marrja e tre pikëve. Asllani vlerësoi paraqitjen ndaj Finlandës, ndërsa nënvizoi se skuadra duhet të luajë me karakter, agresivitet dhe guxim. Mesfushori foli gjithashtu për rëndësinë e grupit, duke theksuar se në Kombëtare të gjithë luajnë për Shqipërinë, ndërsa u shpreh i kënaqur me rolin e tij më të avancuar në mesfushë dhe hapësirat që po krijon për të goditur portën.
I pyetur për gjendjen e skuadrës në prag të ndeshjes, Asllani u shpreh se përgatitjet kanë shkuar mirë dhe se lojtarët janë të përqendruar te marrja e tri pikëve.
“Gjendja është shumë e mirë, sot kemi bërë seancën e fundit në mëngjes. Jemi përgatitur mirë, tani do të studiojmë edhe ekipin kundërshtar. Nesër e dimë të gjithë që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Nuk duhet të mendojmë çfarë na duhet. Duhet të mendojmë vetëm për të marrë tre pikët. Do të futemi në fushë për fitore”, tha Asllani.
Sa i përket mënyrës se si Shqipëria mund ta marrë fitoren, mesfushori theksoi se skuadra duhet të luajë me karakter dhe agresivitet, duke pasur parasysh edhe forcën fizike të kundërshtarit.
“Sigurisht, do të futemi në fushë me karakter dhe shumë agresivitet. Ata janë një ekip shumë fizik. E kemi parë në Tiranë, na kanë vendosur shumë në vështirësi, sidomos në pjesën e parë. Por ne jemi përgatitur mirë, jemi në një moment të mirë dhe duam ta fitojmë ndeshjen”, u shpreh mesfushori.
Asllani foli edhe për ndikimin që pati fitorja ndaj Finlandës, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës përpara tifozëve shqiptarë.
“Kur vesh këtë fanellë duhet të japësh jo 100%, por më shumë. Na duhet maksimumi. Besoj që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë me Finlandën para tifozëve tanë. Jemi shumë të lumtur, por tani mendojmë vetëm për Bjellorusinë”, deklaroi ai.
I pyetur për mungesën e Ramadanit dhe mundësinë që të luajë sërish me Shehun, Asllani u shpreh se kjo nuk përbën problem, pasi të gjithë lojtarët janë të gatshëm të kontribuojnë për Kombëtaren.
“Jo, aspak. Nuk është problem. Në futboll ndodh. Ramadani ka marrë karton të verdhë dhe do të mungojë, nuk do të jetë dhe na vjen keq. Por të gjithë djemtë janë gati. E dimë të gjithë që në Kombëtare nuk luhet për Asllanin, Ramadanin apo për Shehun, por sepse të gjithë përfaqësojmë kombin tonë, familjet tona dhe mendojmë vetëm për Shqipërinë”, tha Asllani.
Mesfushori u pyet edhe për rastet e krijuara ndaj Finlandës dhe mundësinë për të qenë më i saktë para portës në sfidën me Bjellorusinë. Ai u shpreh se dëshiron të shënojë, por theksoi se më e rëndësishmja është fitorja e skuadrës.
“Nuk e di, tifozët pas dy golave me San Marinon kërkojnë sërish gola të tjerë. Unë nuk jam sulmues, por shumë dëshirë do të kisha të shënoja. E rëndësishme është të marrim tre pikë dhe të dalim të lumtur”, u shpreh ai.
Duke folur për momentin pozitiv që po kalon Kombëtarja, Asllani vlerësoi mënyrën e lojës dhe kërkesat e trajnerit Maran, duke theksuar se skuadra tashmë ka arritur të kuptojë më mirë filozofinë e tij.
“Po guxojmë shumë. Trajneri na kërkon shumë agresivitet. Një futboll që po shkon shumë mirë. Po shfaqemi mirë në fushë. Në dy ndeshjet e para nuk e kuptuam mirë, por tani të gjithë djemtë e kanë kuptuar, trajneri na ka kuptuar ne. Të gjithë jemi bashkë dhe mendojmë vetëm për nesër. Na duhet fitorja edhe këtu”, deklaroi Asllani.
Në fund, mesfushori foli edhe për rolin e tij më të avancuar në mesfushë, duke theksuar se sistemi i lojës dhe rotacionet e kërkuara nga trajneri i japin më shumë hapësira për të dalë përpara dhe për të goditur portën.
“Ne tani po luajmë me dy mesfushorë. Trajneri dëshiron rotacione. Unë jam ai mesfushori që ikën më shumë para. Kam hapësira dhe po godas portën. Po më pëlqen forma që po kalojmë ne tani. Jam shumë i lumtur”, përfundoi Asllani.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Britania dhe Franca të heqin mbrojtjen bërthamore për aleatët evropianë”, zbardhen kushtet e Moskës për përfundimin e luftës në Ukrainë

Rusia kërkon ndryshime të thella në arkitekturën e sigurisë evropiane si kusht për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën. Sipas një dokumenti të negociatorëve...
19:32 | 14/11/2026

Aksident në aksin Qukës–Prrenjas, dy automjete dalin nga rruga pas përplasjes, plagoset një person

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të shtune në aksin Qukës–Prrenjas, pranë urës së Torromanit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin dhe...
19:05 | 14/11/2026

Kosova ndalet në barazim pa gola ndaj Izraelit, komplikon objektivin për ngjitjen në Ligën A

Kosova ka humbur një mundësi të mirë për të marrë përkohësisht kreun e Grupit B3 në Ligën e Kombeve dhe për të mbajtur gjallë shpresat...
18:55 | 14/11/2026