Çfarë ndodh me zorrët kur pini kafe rregullisht? Studimi zbulon rezultate interesante

Konsumimi i rregullt i kafesë mund të ndikojë në funksionimin e sistemit tretës, veçanërisht në lëvizjet e zorrëve dhe përbërjen e baktereve që gjenden në to.
Këtë e ka treguar një studim i shkencëtarëve të Universitetit të Kopenhagenit, i realizuar me pjesëmarrjen e 61 të rriturve të shëndetshëm dhe i publikuar në revistën shkencore Gut Microbiology, raporton Euronews.
Sipas rezultateve, personat që konsumojnë kafe rregullisht kanë një larmi më të madhe të baktereve të zorrëve dhe tkurrje më të shpeshta të zorrës së trashë, krahasuar me ata që pinë kafe më rrallë.
Për të analizuar funksionimin e sistemit tretës, studiuesit përdorën një kapsulë elektronike, të cilën e gëlltitën 50 pjesëmarrës.
Ajo regjistroi të dhëna për kohën e kalimit të ushqimit nëpër traktin tretës, temperaturën, aciditetin dhe lëvizjet e zorrëve.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe sipas zakoneve të konsumimit të kafesë. Në grupin e parë ishin personat që pinin nga një deri në pesë filxhanë në ditë, për më shumë se tri nga tetë ditët e studimit, ndërsa në grupin e dytë ata që e konsumonin më rrallë.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se konsumuesit e rregullt të kafesë kishin nivel më të ulët të pH-së në zorrën e hollë, që nënkupton aciditet më të lartë.
Gjetjet sugjerojnë një lidhje mes konsumimit të kafesë dhe ndryshimeve në funksionimin e zorrëve, megjithëse nuk dëshmojnë se kafja është shkaktare e drejtpërdrejtë e këtyre ndryshimeve. /Telegrafi/




































