Momenti kur përforcuesi i raketës Starship shpërthen në Gjirin e Meksikës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.11.2026, 19:58

SpaceX ka realizuar një tjetër provë të rëndësishme me raketën gjigante Starship, por jo gjithçka shkoi sipas planit. Gjatë fluturimit të saj të 15-të testues, të zhvilluar të premten, më 13 nëntor, anija kozmike arriti të dalë në orbitën e Tokës, ndërsa përforcuesi i saj Super Heavy nuk arriti të kthehej në platformën e nisjes dhe përfundoi duke shpërthyer në Gjirin e Meksikës.

Kompania e Elon Musk kishte synuar të realizonte për herë të parë rikuperimin e të dyja pjesëve të raketës. Plani parashikonte që përforcuesi të kthehej në bazën Starbase në Teksas, ku do të kapej nga krahët gjigantë mekanikë të kullës së nisjes, të njohur si "shkopinjtë" (chopsticks).

Megjithatë, gjatë kthimit, përforcuesi hasi një problem në sistemin e drejtimit dhe navigimit, duke aktivizuar automatikisht procedurën e anulimit të kapjes. Ai u devijua drejt detit, ku sistemi i vetëshkatërrimit u aktivizua pak para se të përfundonte në ujë.

Pavarësisht këtij dështimi, pjesa tjetër e misionit vijoi sipas planit. Starship arriti në orbitë rreth 26 minuta pas nisjes dhe lëshoi me sukses 26 satelitë të rinj Starlink V3, të cilët synojnë të zgjerojnë kapacitetin e rrjetit të internetit satelitor të kompanisë.

Por prova nuk ka përfunduar ende. Anija kozmike pritet të rikthehet në Tokë këtë të shtunë, pas rreth 14 rrotullimeve rreth planetit, me synimin për t'u kapur për herë të parë nga krahët mekanikë të kullës në të njëjtën bazë nga ku u nis.

Nëse ia del, SpaceX do të shënojë një tjetër arritje historike në përpjekjen për të ndërtuar një raketë plotësisht të ripërdorshme. Ky është një nga objektivat kryesorë të Elon Musk, i cili synon ta përdorë Starship për misionet e ardhshme drejt Hënës dhe Marsit.

Kjo teknologji do të mundësonte uljen e kostove dhe realizimin e fluturimeve shumë më të shpeshta, pa qenë nevoja që pjesë të mëdha të raketës të humbasin pas çdo nisjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit