Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ngriti gjatë shqyrtimit të buxhetit të Qendrës Kombëtare të Kulturës shqetësimin për mungesën e investimeve në jetën kulturore të Sarandës dhe mbajtjen mbyllur prej vitesh të së vetmes sallë kinoteatri në qytet.

Zhupa kërkoi shpjegime se përse Saranda nuk përfshihet në programet e mbështetjes për rikonstruksionin dhe rijetëzimin e hapësirave kulturore. Në përgjigje, kreu i Qendrës Kombëtare të Kulturës, Jonid Jorgji, sqaroi se Bashkia Sarandë nuk ka aplikuar për të përfituar fonde, duke nxjerrë në pah mungesën e iniciativës nga ana e institucionit vendor për të rikthyer në funksion këtë hapësirë të rëndësishme kulturore për qytetin.

Zhupa ka reaguar duke e cilësuar bashkinë Sarandë si të keqen e madhe të Sarandës dhe se pas 9 majit do të ndërtonin polin kulturor të Sarandës dhe i rikthimin e dinjitetit për qytetin, duke paralajmëruar fitoren e PD në këtë bashki.


Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

E keqja më e madhe e Sarandës është vetë Bashkia e saj!

Bashkia Sarandë nuk ka asnjë interes për jetën kulturore të qytetit. Prej vitesh mban të mbyllur të vetmen sallë kinoteatri, duke i mohuar qytetarëve një hapësirë të rëndësishme kulturore, ndërkohë që as nuk aplikon për të përfituar fonde që mund ta ndryshonin këtë realitet.

Gjatë shqyrtimit të buxhetit të Qendrës Kombëtare të Kulturës, ngrita edhe një herë shqetësimin se përse Saranda nuk përfshihet në mbështetjen për rikonstruksion dhe rijetëzim. Është një shqetësim që e ngre çdo vit. Përgjigjja e kryetarit të Qendrës Jorgji ishte e qartë: Bashkia Sarandë nuk ka aplikuar për fonde!

Pra, nuk bëhet fjalë për mungesë mundësish, por për mungesë vullneti dhe përgjegjësie nga Olti Caci dhe lolot e oborrit që ka marr në bashki.

U premtoj qytetarëve të Sarandës se programi i Partisë Demokratike për bashkinë Sarandë ka ndërtimin e një poli kulturor për qytetin, duke i rikthyer jetën kulturore dhe hapësirat që Saranda meriton.

Pas 9 majit, Saranda do të rifitojë dinjitetin që i është mohuar. Me votë do të largojmë modelin e hajdutërisë, paaftësisë dhe indiferencës që e ka mbajtur peng qytetin. Saranda meriton më të mirën!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb