
Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e dy aksidenteve të rënda të regjistruara gjatë së shtunës.
Aksidenti më i rëndë ndodhi pranë tunelit të Murrizit, në Rrugën e Arbrit, ku dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin. Si pasojë humbën jetën dy persona, drejtuesi 42-vjeçar i njërit prej mjeteve dhe një pasagjere që udhëtonte në automjetin tjetër. Pesë persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.
Një tjetër aksident me pasojë vdekjen u regjistrua në aksin Fushë-Krujë–Thumanë. Një 65-vjeçar, i cili po lëvizte në këmbë, u përplas nga një automjet që drejtohej nga një 19-vjeçar.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa grupet hetimore po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të të dy aksidenteve.